Politike

Deputetët gjermanë: Zgjedhjet sipas afatit. Parlamentin e keni bërë si treg!

Delegacioni i deputetëve të Bundestagut, i kryesuar nga socialdemokrati Josip Juratoviç dha një konferencë për shtyp pas takimeve zyrtare të zhvilluara sot në Tiranë. Ky delegacion nuk ka pasur takime me presidentin Ilir Meta, apo me liderët e PD-së dhe LSI-së, por me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, si dhe takime me deputetët dhe zyrtarë të PS-së.
Juratoviç përpara medieve u shpreh kundër shtyrjes së datës së zgjedhjeve, duke thënë se nëse ajo është vendosur në Kushtetutë, duhet të respektohet.
“Janë punë të brendshme të vendit. Por kam kuptuar se ky vend ka një Kushtetutë dhe Kushtetuta është baza e një vendi. Në Gjermani, Kushtetuta vlen si baza dhe për këtë arsye kam besim te ajo që përcakton Kushtetuta. Nëse Kushtetuta parasheh që zgjedhjet duhet të zhvillohen në një moment të caktuar, ato duhet të zhvillohen në këtë moment. Dhe unë konsideroj që demokracia përfaqësuese zbatohet në formatin e parlamentit, i cili është organi më i lartë demokratik”, u shpreh Juratoviç.
Deputeti gjerman theksoi se partitë politike duhet të marrin pjesë në zgjedhje. “Zgjedhjet përfaqësojnë konkurrencën mes partive politike. Secila parti ka të drejtën e saj për të marrë pjesë ose jo; do të jenë zgjedhësit se çfarë është bërë mirë apo keq. Zgjedhësit në Shqipëri dhe shoqëria është e informuar mirë se çfarë do apo nuk do dikush. Situata aktuale do të luajë një rol në vendimmarrjen e Këshillit Evropian dhe duke qenë se në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së janë parlamentet që vendosin. Jo të gjithë qytetarët në BE janë entuziastë për zgjerimin e unionit. Kush pengon procesin e integrimit pengon ata që besojnë në vlerat demokratike” tha Juratoviç
Juratoviç u shpreh se turi që ai dhe kolegët e tij kanë ndërmarrë në Ballkan, lidhet me njohjen e mëtejshme me ecurinë e reformave. Në këtë rrjedhë, kryetari i Grupit Parlamentar të SPD u shpreh se Shqipëria dhe rajoni është oborr i brendshëm i BE-së dhe duhet të anëtarësohet.
“Kemi pasur kontakte me përfaqësues të parlamentit, komisioneve parlamentare, kryeministrin Rama, ministren e Drejtësisë dhe atë të Brendshëm për një panoramë të plotë të vendit dhe reformave. Për ne ka qenë e rëndësishme të mësojmë ecurinë e reformave për të ditur sa e përgatitur është Shqipëria për negociatat. Shqipëria dhe i tërë rajoni është oborri i brendshëm i BE-së dhe duhet të jetë pjesë e këtij unioni. Për mua, demokracia është një komunitet vlerash”, tha Juratoviç.
Pyetjes se pse nuk u takuan me presidentin Ilir Meta, apo krerët e partive parlamentare që janë jashtë Parlamentit, ai iu përgjigj se në takimet në Parlament është takuar dhe me opozitën.

Image may contain: 6 people, people sitting, table and indoor
Balla gjatë takimit me delegacionin gjerman

“Unë nuk mund të kërkoj në vendin tuaj ku mund të jetë një parti apo tjetër me të cilën unë të flas, nëse e kam këtë mundësi, e bëj me përfaqësues të shoqërisë civile. Parlamenti është organi më i lartë i një shoqërie demokratike, jemi përfaqësues të popullit, dhe populli na ka zgjedhur të zhvillojmë debatin në parlament”, theksoi ai. Duke iu referuar bojkotit të Parlamentit, Juratoviç deklaroi se “bojkoti i Parlamentit do të thotë bojkot i i demokracisë, bojkotimi i institucionit më të lartë i një shoqërie demokratike". "Parlamenti për mua është njësoj si Kisha për besimtarët katolikë, nuk është një sallë tregu, pazar. Kam përshtypjen se është shndërruar në një sport të dashur për shqiptarët që në momentin që nuk i pëlqen, vendosin bojkotin e Parlamentit”, theksoi ai.
Pyetjes se "kur flisni për njerëz që nuk e duan integrimin në Shqipëri, u referohet politikanëve shqiptarë", ai iu përgjigj: “Këtu nuk dua të përjashtoj askënd as nga politika dhe as nga shoqëria. Duke qenë se kam përvojë me rajonin, kam konstatuar njëlloj sindrome të Sanederit. Në Kroaci pas anëtarësimit në BE dhe disa vitesh, kryeministri i vendit u dënua me vendim gjyqi dhe u fut në burg. Ndaj mendoj që është sot më e rëndësishme se kurrë që reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar të bëhet në mënyrë të vendosur, se çelja e negociatave duhet të fillonte me kapitujt 23 dhe 24”.

Delegacioni i deputetëve të Bundestagut përbëhej nga Josip Juratovic, Kryetar i Grupit Parlamentar SPD, Renata Alt, zv/kryetare e Grupit Parlamentar FDP dhe Hansjörg Müller, anëtar i Grupit Parlamentar AfD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë