Para

Depozitat në euro rriten ndjeshëm në gusht, më pak kursime në lekë

Stoku i depozitave në vend në muajin gusht u rrit me 24 miliardë lekë më shumë në krahasim me muajin e mëparshëm, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.

Kjo është rritja më e madhe mujore që prej dhjetorit të vitit 2020. I gjithë zgjerimi i kursimeve në sistemin bankar ka ardhur nga euro.

Depozitat në valutë u rritën me 3.8% në krahasim me muajin e mëparshëm, të ndikuara në pjesën më të madhe nga korporatat jo financiare, kursimet pa afat të të cilave u shtuan me gati 8%.

Ndërsa kursimet pa afat të individëve në valutë u zgjeruan me 3.6%. Rritja e depozitave në valutë është më e lartë për shkak se të dhënat raportohen në lekë dhe shifra rezulton më e ulët për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të euros këtë vit.

Në të kundërt, kursimet në lekë kanë shënuar rënie me 0.5% në raport me muajin e mëparshëm, duke reflektuar vështirësitë në kursimin në monedhën vendase pas rritjes së ndjeshme të çmimeve në krahasim me të ardhurat.

Krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të shkuar, depozitat në total janë rritur me 7.5%, të ndikuara në pjesën më të madhe nga valuta (+11.6%) dhe më pak nga monedha vendase (+2.4%).

Gjatë dy viteve të fundit, kursimet janë rritur të orientuara nga valuta, ndryshe nga viti pandemik kur u zgjeruan depozitat në lekë për shkak të pamundësisë për të shpenzuar.

Në fund të gushtit, pesha e kursimeve në valutë ishte 57.2%, nga 55.2% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë