Para

Depozitat e jorezidentëve janë rritur me 18% që nga fillimi i vitit

Depozitat në sektorin bankar shqiptar nga individët dhe bizneset me rezidencë jashtë vendit po rriten ndjeshëm, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Në fund të muajit korrik depozitat e jorezidentëve në bankat tregtare shqiptare arritën vlerën e 15.9 miliardë lekëve ose 130 milionë eurove duke u rritur me 18% që nga fillimi i këtij viti dhe afërsisht me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Tendenca e tyre tregon një rritje në periudhën pas pandemisë, në linjë me ecurinë e përgjithshme të depozitave në sektorin bankar.

Depozitat e jorezidentëve në sektorin bankar shqiptar kane qenë historikisht të lidhura me emigrantët, që një pjesë të kursimeve të tyre kanë zgjedhur t’i mbajnë në bankat shqiptare. Në dekadën e fundit, depozitat e jorezidentëve arritën kulmin në fund të vitit 2014, për një shumë totale prej 24 miliardë lekësh. Gjatë viteve në vazhdim, vlera e depozitave të jorezidentëve pësoi një rënie graduale, duke zbritur në intervalin mes 13 dhe 14 miliardë lekëve para pandemisë.

Pas shpërthimit të pandemisë, depozitat bankare kanë shënuar ritme më të larta rritjeje krahasuar me periudhën e mëparshme.

Në fund të muajit korrik, totali i depozitave bankare arriti vlerën e rreth 1.34 trilionë lekëve, nga të cilat rreth 82% janë depozita të individëve.

Vitet e fundit, rritja e depozitave po përqendrohet tek llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat, sepse normat e ulëta të interesit nuk iu japin shumë stimuj individëve dhe bizneseve t’i mbyllin paratë në depozita pa afat. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë