Futboll

Denoncimi i Guardian: Mbi 6500 emigrantë të vdekur në kantieret e “Katar 2022”

Në Katar është shtuar shumë numri i personave që humbin jetën në punë dhe gishti është drejtuar te ndërtimi i stadiumeve dhe infrastruktura e Botërorit. Komiteti organizator është mbrojtur, por numrat janë vërtet të frikshëm.

Më shumë se 6500 punëtorë kanë humbur jetën në 11 vjet, - një mesatare prej 12 vdekjesh në javë, - gjatë punimeve për ndërtimin e stadiumeve të Kupës së Botës 2022 në Katar. Denoncimi vjen pas një investigimi të “Guardian”, që ka zbuluar shifrat bashkë me fondacionin “Humanity United”. Të dhënat janë marrë nga burime qeveritare.

"Al Rajan", një nga stadiumet më të bukur të ndërtuar në Katar. Gazeta Si, 24 shkurt 2021

Sipas komitetit organizator të “Katar 2022”, janë 37 punëtorët e vdekur dhe që lidhen direkt me ndërtimin e stadiumeve, kurse 34 të tjerë kanë vdekur në incidente që nuk kanë lidhje me punën. Por, po të shohësh statistikat e këtij vendi në 10 vitet e fundit, konstaton se emigrantët punëtorë që kanë humbur jetën në këtë periudhë janë shumë më shumë: 2711 nga India, 1018 nga Bangladeshi, 1641 nga Nepali dhe 557 nga Sri Lanka.

Pra, janë 5927 punëtorë emigrantë të vdekur në periudhën 2011-2020. Atyre u shtohen edhe ata nga Pakistani, që sipas ambasadës së këtij vendi në Katar, janë 824. Ka edhe emigrantë nga vende si Kenia dhe Filipinet, që nuk kanë të dhëna të sakta.

Në prag të Kupës së Botës 2022, në Katar po ndërtohen 7 stadiume të reja. Ka edhe investime të tjera të mëdha në infrastrukturë, si rrugë, sisteme të transportit publik, hotele, një aeroport dhe një qytet artificial, Lusail, që do të presë 250 mijë banorë dhe do të jetë selia e kompeticionit.

Nga një kantier punimesh në një stadium në Katar. Gazeta Si, 24 shkurt 2021

Nik MekGihan, drejtor i “FairSquare Projects”, që mbron të drejtat e punëtorëve, pohon se regjistrat e vdekjeve në Katar nuk ofrojnë detaje në lidhje me punësimin, apo vendet e punës, por ka shumë mundësi që shumë prej tyre kanë të bëjnë me personat e impenjuar në projektin e stadiumeve dhe infrastrukturës.

Sipas dokumenteve që disponon “Guardian”, 69% e këtyre vdekjeve janë deklaruar thjesht si “vdekje natyrale”, që kanë ardhur nga zemra, apo vështirësitë në frymëmarrje. Dhe 80% janë indianë. Janë konkluzione që nxirren thuajse gjithmonë pa bërë autopsi apo verifikime të tjera.

Katari ka hedhur poshtë akuzat, duke mbrojtur tezën se në numrin e të vdekurve janë shtuar edhe emigrantët që jetojnë në këtë vend prej shumë vitesh. Komiteti organizator i Kupës së Botës ka mbajtur këtë qëndrim: “Jemi thellësisht të keqardhur për këto tragjedi. Kemi qenë transparentë për këtë temë dhe kontestojmë zërat e pasaktë për numrin e punëtorëve që kanë humbur jetën në projektet tona”.

Në këtë linjë është edhe FIFA, organi më i lartë i futbollit në botë. “Frekuenca e incidenteve në kantieret e Kupës së Botës ka qenë e ulët në raport me projekte të tjera të mëdha ndërtimi në gjithë botën”. Ky është qëndrimi zyrtar i FIFA-s, që nuk i specifikon se cilët janë projektet e tjera të mëdha…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë