Politike

Delegimi i Cakajt si Ministër i Jashtëm ende i paligjshëm

“Fjala më e shkurtër e jetës sime, unë i nënshkruari Edi Rama në funksionin e kryeministrit dhe të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme i delegoj, zotit Gent Cakaj, zv.ministër Për Europën e Punët e Jashtme, detyrën si ministër për Europën e Punët e Jashtme dhe përfaqësimit të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme brenda dhe jashtë shtetit”.
Kështu do të deklaronte kryeministri Edi Rama në ceremoninë e dorëzimit të detyrës së ministrit të Jashtëm më 23 janar. Kanë kaluar disa ditë, por vendimi i kryeministrit nuk është botuar në Fletoren Zyrtare.

Sipas ligjit, vendimi për delegimin e kompetencave duhet të botohet në Fletoren Zyrtare, duke përcaktuar edhe afatet e ushtrimit të kësaj detyre, për të marrë kështu edhe fuqi ligjore. Kjo nënkupton se kryeministri duhet të përcaktojë edhe datën si afat final të ushtrimit të detyrës nga ana zv.ministrit Cakaj si ministër i Jashtëm në arenën ndërkombëtare.
Kodi i Procedurës Administrative parashikon delegimin e kompetencave. Një praktikë e tillë bëhet pothuajse nga të gjithë drejtuesit e institucioneve, ministra apo zyrtarë të tjerë, të cilët për një periudhe kohe ia kalojnë kompetencat vartësve të tyre. Ky vendim duhet të përmbajë si rregull edhe afatet e ushtrimit të detyrës që i delegohet. Neni 28 i këtij Kodi përcakton se “Përveç rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe, organi që delegon një kompetencë nuk mund të autorizojë organin e deleguar apo të nëndeleguar, që ky i fundit t’ia nëndelegojë këtë kompetencë një organi tjetër. Ndërsa neni 29 parashikon se “Në rastet e delegimit, organi delegues përcakton kompetencat të cilat janë deleguar ose tregon se çfarë aktesh mund të nxjerrin apo të zbatojnë organet e deleguara. Delegimi i kompetencave botohet në Fletoren Zyrtare. Ndërsa në rastet e administratës vendore delegimi botohet në gazetën e pushtetit vendor dhe kur nuk ekziston një e tillë, njoftimi përkatës afishohet në vende publike”.
Ndërkaq po në këtë ligj, në nenin 34 parashikohet se “në rastet e mungesave, të pamundësisë apo të paaftësisë fizike për të vepruar ose për shkak të ndonjë pengese ligjore që haset një organ administrativ individual, kryerja e detyrave bëhet nga organi ose personi zëvendësues i përcaktuar me ligj”. Në pikën dy të po këtij neni theksohet se kur ligji nuk shprehet, zëvendësimi në kryerjen e detyrave do të bëhet nga punonjësi më i vjetër i organit, që vjen direkt pas tij në shkallën e hierarkisë. Në ushtrimin e funksioneve të zëvendësuesit futen edhe kompetencat e deleguara të të zëvendësuar.

Kryeministri Edi Rama i propozoi presidentit Ilir Meta, emrin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm. Ky propozim hasi në kundërshtimin nga kreu i shtetit i cili refuzoi të dekretonte Cakajn si ministër të Jashtëm. Kjo krizë institucionale u zgjidh me tërheqjen e kryeministrit, duke mos paraqitur më zyrtarisht Cakajn si ministër, por veten e tij para Presidentit. Ndërkaq pas zgjidhjes së kësaj krize, mazhoranca shprehet se këtë përplasje institucionale do t’ia paraqesë Gjykatës Kushtetuese për interpretim, nëse presidenti ka të drejtën për të refuzuar propozimet për ministra ose jo.
Derisa kjo çështje të zgjidhet kryeministri ka vendosur që të mbajë Cakajn si kryediplomat me delegim kompetencash. Por gjithashtu mazhoranca ka bërë të ditur se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku ata pretendojnë se do të jetë në favor të tyre, Gent Cakaj do të propozohet sërish si ministër i Jashtëm te Presidenti.

Faksimile nga webi zyrtar i MEPJ-së ku Edi Rama është ministër i Jashtëm


Debati për delegimin e kompetencave
Delegimi i kompetencave te Gent Cakaj pati debate nëse një gjë e tillë është e bazuar dhe mbi të gjithë nëse kryediplomati i ri i graduar nga Rama ka të drejtën për të negociuar apo për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Juristi Sokol Hazizaj shprehet se Kushtetuta nuk e ndalon, por modeli informal i dorëzimit të dekretit prej Kryeministrit një zëvendësministri me probleme ligjore, është akt i shëmtuar në kuptim të respektit të ushtrimit të funksionit kushtetues, por në vështrimin formal ligjor delegimi është ndryshe. Delegimi shihet si i bazuar edhe në ligjin “Për organizimin e Këshillit të Ministrave”, ku në nenin 6 theksohet se “Ministri, përveç kompetencave ose detyrave që parashikohen në Kushtetutë dhe në ligje të veçanta, ushtron edhe detyra të tjera, që i ngarkohen nga Këshilli i Ministrave ose nga Kryeministri. Zëvendësministri zëvendëson ministrin, në kuptimin e pikës 1 të nenit 34 të Kodit të Procedurave Administrative. Zëvendësministri emërohet dhe lirohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim. te Kryeministrit. Me urdhër te ministrit, zëvendësministrit i caktohen edhe detyra te tjera”.

Sokol Hazizaj, jurist


Ndërsa ish-zëvendësminitri i Drejtësisë, Arben Isaraj në një postim në Facebok shkruan se delegimi i kompetencës nuk ështe i njëjtë me Autorizimin për lëshimin e plotēfuqisē apo kredencialeve.
“Autorizim për lëshimin e plotfuqisë /kredencialeve, sipas Ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare dhe jo Kushtetutës, është autorizimi që Presidenti i Republikës ose Kryeministri i jep ministrit të Punëve të Jashtme për lëshimin e plotfuqisë /kredencialeve, nënshkrimin marrëveshjeve ndërkombëtare ose pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare, ku duhet të votojnë apo të nënshkruajnë aktet finale të konferencës. As më shumë e as më pak, Autorizimi për lëshimin e plotfuqisë /kredencialeve, ndjek formën dhe përmbajtjen e një Prokure Noteriale ku i përfaqësuari shfaq vullnetin e tij për t’u përfaqësuar nga dikush tjetër me një objekt të përcaktuar dhe Noteri e vërteton këtë vullnet. Nuk është turp të jesh Noter i shtetit. Turp është kur nuk zbaton Kushtetutën dhe Ligjin, me shpresën absurde se je kushtetueshmërisht i papërgjegjshëm, për aktet e kryera në ushtrim të detyrës”, shkruan ish-deputeti i PS-së, Isaraj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë