Politike

Rama ia delegon MEPJ, Cakajt. Meta e PD: S’e njohim si ministër

Një ditë pas betimit në presidencë si Ministër i Europës dhe Punët e Jashtme, kryeministri Edi Rama ka marrë sot zyrtarisht detyrën e re. Por atë e mbajti vetëm disa minuta pasi e delegoi tek ish i përzgjedhuri i tij për të drejtuar diplomacinë shqiptare që u refuzua që të dekretohej nga Ilir Meta.
Kreu i qeverisë shkoi në Ministrinë e Jashtme në orën 10.00 dhe u prit nga ish-ministri Ditmir Bushati. Ky i fundit mbajti fjalën e lamtumirës. Ndërkohë Rama mbajti fjalën e tij më të shkurtër në publik deri më sot. Ai i delegoi drejtimin e ministrisë, zv/ministrit Gent Cakaj.
“Unë i nënshkruari Edi Rama, i delegoj z. Gent Cakaj, detyrën e drejtimit të Ministrisë së Jashtme”, u shpreh Rama, duke i dorëzuar dekretin e Metës.

Presidenti Meta lidhur me vendimin e kryeministrit Rama është shprehur se si President i Republikës respekton Kushtetutën, ndësa shtoi se e ka të qartë se cilit institucion mund t’i delegojë autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet. Pra thënë ndryshe, kompetencat për marrëveshje ndështetërore (siç mund të jetë Marrëveshja e Detit me Greqinë etj,.) ia delegon vetëm Ramës, pasi vetëm atë njeh me kushtetutë.
“Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive. Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë”, është shprehur presidenti Meta.

Por për opozitën “delegimi” i kompetencave të Ministrit të Jashtëm, nga ana e kryeministrit është një akt i pa precedent antikushtetues. “Kompetencat ministeriale, veçanërisht ato të Ministrit të Jashtëm nuk mund t’i delegohen askujt, ashtu si dhe përgjegjësitë e atij posti shumë të rëndësishëm e delikat. Këtu kemi të bëjmë me një veprim jo thjesht arrogant, por që dëmton rëndë edhe interesat tona shtetërore e ato kombëtare”, thotë Tritan Shehu, i cili në qeverisjen e parë të demokratëve ka mbajtur postin e Ministrit të Jashtëm.

Fjalimi i parë i Cakajt
Pas delegimit të detyrës, Gent Cakaj menjëherë mori fjalën dhe solli një shprehje të poetit shqiptar Ali Podrimja. “Koha thotë Podrimja shpeshherë ecën mbi shpinën e breshkës, ndërkohë këto ditë koha ka ecur ngadalë. Unë kam kohën dëshmitare për punën time dhe do të qëndroj me dinjitet para çdo njeriu që i ka dhënë votën kësaj shumice”, u shpreh Cakaj.
Më tej, ai tha se politika e jashtme e Shqipërisë nën drejtimin e tij nuk do ndryshojë. Cakaj shtoi se sfidë për të mbetet përmirësimi i imazhit pas replikave të forta mes Presidencës dhe qeverisë dhe 5 muajt e ardhshëm sipas tij do të jenë punë pa orar.
“Ndjehem më i lehtësuar sepse më është komunikuar detyra e lartë. Me kompetenca të deleguara nga Edi Rama, nën vëzhgimin e tij është një status i garantuar. Mosha e re është burim energjie. Pavarësisht sfidave të mëdha, Shqipëria qëndron në kuotën më të lartë të përfaqësimit diplomatik. Shqipëria qëndron më afër se kurrë për hapjen e negociatave. Jemi në fazën e pakthyeshme për të kurorëzuar kryesimin e OSBE-së për vitin që vjen. Nuk di si ta falënderoj kryeministrin Rama për besimin që më ka dhënë. Do të vazhdojmë me energji të reja dhe qasje proaktive. Do të mbetemi forcë e paqes dhe stabilitetit. Bartëse e ideve të zhvillimit në mes të mjeteve të dialogut dhe bashkëpunimit me fqinjët. Rruga e Shqipërisë për në familjen europiane kalon në procesin e konsolidimit në rajon. Shqipëria duhet të jetë e angazhuar për të realizuar këtë synim. 5 muajt e ardhshëm do të jenë punë pa orar”, deklaroi Cakaj.

Lamtumira e Bushatit
Ndërkohë, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një fjalim lamtumire ka bërë një bilanc të punës së tij për këto 5 vite që ai drejtoi këtë institucion.
“Sot teksa ngjita shkallët, për herë të fundit si Ministër i Jashtëm, ndjeva realisht që nuk do të jem më pjesë e punës së përditshme të këtij institucioni. Por, ndjehem me fat që do të jem pjesë e historisë së tij. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme është një ndër ato pak institucione që mbart peshën simbolike të përfaqësimit të shtetit. Ndoshta edhe për këtë arsye, është institucioni që i ka mbijetuar më shumë se tjerët dallgëve të tranzicionit e mbrapshtive të politikës.
Duke e konsideruar si nder dhe përgjegjësi të përditshme peshën specifike të pozicionit të ministrit të Jashtëm, jam përpjekur që në ditën e parë të detyrës të mbështetem në tre vlera: integritet, besim dhe respekt”, tha Bushati.

Bushati ndër të tjera tha se nuk ka garanci se “ajo që kemi para është më e mirë”.
“Nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas. Puna jonë transformuese ka krijuar me siguri të pakënaqur dhe kundërshtarë. Por një gjë është e sigurt: sfidat na kanë bërë më të fortë, më të qëndrueshëm e shpresoj më të denjë për Shqipërinë e të nesërmes”, tha ndër të tjera Bushati.

Duke falënderuar bashkëpunëtorët, ish-ministri Bushati e mbylli fjalimin e tij me një rrëfim të ish-kolegut të tij dhe presidentit aktual të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.
“Për një falënderim të fundit do të më ndihmonte një rrëfim personal i ish-kolegut tim të çmuar dhe presidentit aktual të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, sipas të cilit ministri i Jashtëm është i munguari i madh: i mungon ekipit të Ministrisë në përditshmërinë e tij; i mungon përditshmërisë politike; dhe i mungon familjes së tij.
Është pikërisht familja, e cila ka vuajtur më shumë e ka falur më lehtë çdo mungesë timen, duke mbështetur rrugëtimin tim. Dëshiroj t’i falënderoj për përkushtimin e tyre gjatë mungesave të mija e t’u kërkoj një falje për fundjavat e humbura në Blackberry dhe Iphone”, u shpreh ish-ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë