Shqiptarët po kthehen në objekte sulmesh në burgje greke. Përleshja më e fundit ndodhi mbrëmë në burgun Koridhallos në Greq, ku shqiptari i moshës 30-vjeçare, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur është dërguar menjëherë për mjekim në spital. Pas marrjes së ndihmës, shqiptari u rikthye sërish në burg.
Mediat greke raportojnë se në këtë institucion të vuajtjes së dënimit kanë ndodhur 10 përleshje të përgjakura me 26 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Madje ato i krahasojnë burgjet si jo të një shteti demokratik, vend anëtar i BE-së, por si të vendeve të Kolombisë apo dhe Meksikës.
To Vima ka postuar një rast flagrant me anë të një videoje ku jepet rasti i goditjes me thikë brenda ambienteve të burgut, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 14 janar të këtij viti.
Në video duket momenti kur goditet me grushte dhe thikë nga disa të dënuar brenda burgut një person, që sipas mediave greke është shqiptar, i cili i mbuluar me gjak vrapon për të shpëtuar.
E ndërsa gardianët nuk reagojnë, pas goditjeve në stomak dhe pjesët e tjera të trupit, në pamje duket momenti kur transportohet në spital i mbuluar me gjak.
Në këtë datë në burgun e Koridhallos në Greqi ka humbur jetën gjatë një përleshje shqiptari Albert Bako, por grekët në videon e publikuar nuk saktësojnë nëse bëhet fjalë për të njëjtën ngjarje, pasi nuk jepet emri i shqiptarit që u sulmua dhe çfarë ndodhi më pas.
Sipas të dhënave nga mediat greke, vrasësit e dinin që ai do të lëvizte nga burgu i Kretës dhe i bënë një pritë për ta vrarë më pas me thikë. Bako kishte terrorizuar një klub në Pire në nëntor të vitit 2014, pasi kishte qëlluar me kallashnikov për një valltare dhe më pas ishte dënuar me 22 vite burg për tentativën e vrasjes së një avokati.
Në atë kohë ministria e Drejtësisë së Greqisë do të deklaronte se vrasjes e Bakos kishte si autorë dy shqiptarë.
“Një sulm vrastar ka ndodhur këtë mëngjes në ambientet e paraburgimit të Koridallos ndaj shqiptarit Albert Baku nga dy prej të burgosurve. Viktima si dhe dy të burgosurit e tjerë që e vranë janë shqiptarë dhe transferuar nga CP Domokos Kretë, në gjyq si të akuzuar përkatësisht si bashkëpunëtor në rastin e vrasjes së avokatit Michael Zafiropoulos dhe ishin në të njëjtën godinë, që ishte mbajtur më parë. Viktima ishte dënuar edhe për tentim vrasje të avokatit C. Antonopoulos. Incidenti po hetohet për vepër penale dhe disiplinore, dhe me urdhër të Ministrit të Drejtësisë Z. Michael Kalogerou është kryer një mbledhje e jashtëzakonshme në burgun e sigurisë së lartë CP Koridallos, nga sekretari i Përgjithshëm Penal”, do të deklaronte Ministria e shtetit grek.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.