Futboll

Del Piero flet hapur: Futbolli italian është bërë i mërzitshëm, dikur vinin më të fortët

Gazeta Si – Futbolli italian nuk është më tërheqës, sipas Alesandro Del Pieros, ish-lojtarit të njohur të Juventusit dhe Italisë. Në një intervistë për "Corriere della Sera" ai ka theksuar se futbolli italian është bërë i mërzitshëm.

“Të dhënat janë të qarta. Futbolli në Itali është bërë i mërzitshëm, sepse niveli është ulur në krahasim me të kaluarën. Këtu vinin më të fortët, më të mëdhenjtë, të gjithë donin të luanin në Itali. Tani më të mirët shkojnë në Premier, në La Liga, madje edhe në Francë dhe Gjermani. Jo këtu. Kjo vlen për ne.

Në Angli futbolli nuk është i mërzitshëm dhe sipas meje, në këtë rënie ndikojnë disa faktorë. Në vend të parë është ndikimi i teknologjisë. Telefonët dhe videolojërat kanë një nivel kënaqësie të nevojës për argëtim të pakrahasueshëm më atë të fëmijërisë sime. Shoqëria dixhitale na bën të jetojmë më mirë, por na heq kreativitetin”, - shpjegon Del Piero.

“Të dielave shkoja në meshë, por mezi prisja të shkoja në bar dhe të luaja ‘flipper’ ose ‘calciobalilla’. Më majftonte, ishte bukur. Sot jetojmë në një shoqëri të shpejtë, që kërkon rezultate të mënjëhershme. Natyra ka ciklin e saj dhe ne jemi pjesë e natyrës.

Ekzagjerohet në pritshmëritë ndaj fëmijëve dhe ata e ndjejnë këtë pjesë. U kërkohet të fitojnë, të kenë sukses, të jenë kompetitivë. Dhe kjo është një peshë e rëndë mbi shpatullat që janë ende në formim. Jo të gjithë ia dalin, krijohet mërzi, stres, pasiguri, sensi i dështimit, ankth. Jeta, edhe në sport, duhet jetuar, jo konsumuar”, - ka theksuar legjenda italiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë