Libra

Del në shitje libri më i vjetër i krishterë

Libri më i vjetër fetar i Krishtërimit, sipas shtëpisë së ankandit Christie’s, do të dalë në shitje në qershor, shkruan BBC.

Kodiku ”Crosby-Schoyen”, i shkruar me shkrim koptik në një papirus në Egjipt, daton në vitet 250-350 pas Krishtit.

Besohet gjithashtu të jetë një nga librat më të vjetër dhe mund të shitet deri në 3,8 milionë dollarë.

Libri liturgjik është prodhuar në një manastir të hershëm të krishterë dhe përmban tekstet e plota të dy librave biblikë.

”Teksti ka rëndësi monumentale si një dëshmi e përhapjes së hershme të Krishtërimit në Mesdhe”, tha Eugenio Donadoni, specialist i librave dhe dorëshkrimeve në ”Christie’s”.

Murgjit e parë të Egjiptit të Epërm në manastirin e parë të krishterë përdorën pikërisht këtë libër për të festuar festimet e para të Pashkëve, vetëm disa qindra vjet pas Krishtit dhe vetëm njëqind vjet pas shkrimit të Ungjillit të fundit.

Libri është pjesë e Papirusit Bodmer, një koleksion tekstesh të ndryshme të zbuluara në vitet 1950 dhe përfshin shkrime të krishtera, ekstrakte biblike dhe literaturë pagane.

Vetë dorëshkrimi përmban tekste duke përfshirë letrën e parë të plotë të Pjetrit, Librin e Jonait dhe një predikim të Pashkës.

”104 faqet ose 52 fletë, u shkruan nga një skrib në agimin e krishterimit, gjatë një periudhe prej 40 vjetësh. Libri është një nga tekstet më të vjetra në botë”, theksoi shtëpia e ankandeve.

Kodiku u ble nga Universiteti i Misisipit ku mbeti deri në vitin 1981 dhe u ble disa herë përpara se të blihej nga koleksionisti norvegjez i dorëshkrimeve Martin Schoyen në 1988.

Schoyen po nxjerr në ankand dorëshkrimin së bashku me pjesë të tjera nga koleksioni i tij, i cili është një nga arkivat më të mëdha të dorëshkrimeve në botë. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë