Politike

Dekriminalizimi, PD: Prokuroria mbron 3 kriminelët e Ramës

Partia Demokratike akuzon Prokurorinë se po mbron Valdrin Pjetrin, Agim Kajmakun dhe Mark Babanin duke zvarritur hetimet ndaj tyre në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, por edhe duke mos i dhënë opozitës informacion se çfarë procedure procedure është ndjekur.

PD thotë se dokumentet e bëra publike prej saj që prej 1 gushtit, duke filluar me Valdrin Pjetrin dhe më pas me Agim Kajmakun dhe Mark Babanin janë autoentike dhe provojnë se ata kanë të kaluar kriminale, e për këtë arsye, jo vetëm që duhet të largohen, por edhe të ndiqen penalisht për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

PD e konsideron mosveprimin prej më shumë se 2 muaj të prokurorisë si përpjekje për të mbrojtur me burokraci procedurale dhe vonesa njerëzit e inkriminuar të Edi Ramës në pushtetin vendor të dalë pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi përmes një letre drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme ka kërkuar në 5 shtator që t’i vihet në dispozicion i gjithë dokumentacioni që tregon veprimet e prokurorisë për të bërë verifikimin e 3 denoncimeve të bëra nga opozita. PD thotë se për këtë kërkesë nuk ka marrë ende përgjigje nga Prokuroria, ndaj së fundmi i është drejtuar me një kërkesë të dytë, që mban firmën e Gazment Bardhit.

Faksimile e kërkesës së dytë të dorëzuar nga PD tek Prokuroria e Përgjithshme. Gazeta Si, 23 tetor 2019

“Organi i prokurorisë në shkelje flagrante të ligjit, edhe pse afati është tejkaluar disa herë, ende nuk ka vënë në dispozicion të kërkuesit dokumentacionin e kërkuar, duke na pamundësuar ushtrimin e të drejtave tona ligjore dhe duke mos bërë transparencë për opinionin publik mbi këto raste”, thuhet në kërkesën e re për informacion që Sekretari i Përgjithshëm i PD i dërgon Prokurorisë së Përgjithshme.

PD ngre dyshime se një mekanizëm shtetëror po merr në mbrojtje persona të inkriminuar, në krye të të cilit qëndron Edi Rama dhe Arta Marku.

“Duke kërkuar edhe një herë zyrtarisht informacion për procedurat e ndjekura nga prokuroria për të treja rastet, PD u bën thirrje prokurorëve të ngarkuar me këtë çështje, të mos i nënshtrohen presionit politik të Edi Ramës dhe Arta Markut”, thotë PD.

Për Valdrin Pjetrin e Shkodrës PD publikoi dokumenta se ka qenë i dënuar dhe i dëbuar nga Italia për trafik droge, fakt të cilin nuk e kishte pasqyruar në formularin e dekriminalizimit. Pjetri u dorëhoq pa u betuar si kryebashkiak.

Për Agim Kajmakun, aktualisht kryetar i Bashkisë së Vorës, PD tha se ishte në kërkim nga Greqia me emrin Jorgo Toto për qarkullimin e parave të falsifikuara.

Në formularin e dekriminalizimit, Kajmaku ka pasqyruar vetëm përdorimin në të shkuarën të identitetit “Jorgo Toto”, por pjesën që ishte hetuar në Greqi. Në rastin e Kajmakut u përfshi edhe drejtësia greke. Gjykata e Janinës i dha pafajësinë më 12 shtator.

Mark Babani është kryebashkiak i Vaut të Dejës. PD tha se Babani kishte bërë burg dhe ishte dëbuar për vjedhje makinash më Itali, ndërsa vetë Babani i hodhi poshtë akuzat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë