Politike

Dekretimet e ministrave/ Begaj merr 7 propozimet e Ramës

Shtatë propozimet për ndryshim ministrash kanë mbërritur për t’u dekretuar në Presidencë. Kryeministria i ka depozituar në zyrën e protokollit shtatë emrat, duke pritur që kreu i shtetit të shprehet mbi propozimet.

Gjithashtu mësohet se kreu i shtetit pritet të njihet më konkretisht mbi këto propozime, të premten pas kthimit nga vizita zyrtare në Kazakistan.

Në Asamblenë Kombëtare të PS-së, më 4 shtator, kryeministri Rama prezantoi ndryshimet në kabinetin qeveritar, duke sjellë katër emra të rinj. Nga ndryshimet e bëra u prekën 6 ministri, ndërkohë që u shkri Ministria për Standardet dhe Shërbimet. Sakaq u shtua një tjetër ministri pa protofol, Ministria e Pushtetit Vendor, e cila do të drejtohet nga Arbian Mazniku.

Posti i Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme do t’i besohet Igli Hasanit. Ogerta Manastirliu është larguar nga Ministria e Shëndetësisë dhe është emëruar si Ministre e Arsimit dhe Sportit. Ministrja Delina Ibrahimaj është zhvendosur nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave për të marrë drejtimin e Ministrisë së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit. Në Ministrinë e Finanacave dhe Ekonomisë është emëruar Ervin Meta. Deputetes së PS, Anila Debaj iu besua posti i Ministrisë së Bujqësisë, ku do të zëvendësojë ish-ministren Frida Krifca. Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është propozuar Albana Koçiu.
Olta Xhaçka, Evis Kushi, Edona Bilali, Milva Ikonomi dhe Frida Krifca u shkarkuan nga kryeministri Rama.

Propozimet e Ramës për ministrat:
Ministër i Financave dhe Ekonomisë – Ervin Mete
Ministër i Punëve të Jashtme – Igli Hasani
Ministër i Arsimit dhe Sportit – Ogerta Manastirliu
Ministër i Bujqësisë – Anila Denaj
Ministër i Shëndetësisë – Albana Koçiu
Ministër Shteti për Sipërmarrjen – Delina Ibrahimaj
Ministër Shteti për Pushtetin Vendor – Arbjan Mazniku


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë