Politike

Dekreti botohet në Fletoren Zyrtare, socialistët: Është nul!

Dekreti i Presidentit Ilir Meta, që shfuqizon 30 qershorin është botuar në Fletoren Zyrtare. Kjo do të thotë se ai ka hyrë në fuqi dhe do të qëndrojë si i tillë deri kur të vendoset mbi institucionin që do ta vlerësojë dhe kushtetutshmërinë e tij.

Mbetet për t’u parë se si do të veprojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas këtij botimi. Në mbledhjen e zhvilluar ditën e hënë, ky Komision e cilësoi si nul dhe pa efekt ligjor dekretin presidencial dhe kërkoi vazhdimin e përgatitjeve për zhvillimin e zgjedhjeve.

Presidenti Meta thotë se dekreti është plotësisht në përputhje me kompetencat që i jep Kushtetuta, ndërsa nga mazhoranca pretendojnë të kundërtën. Pas konferencës për mediat të së martës, ku Ilir Meta sulmoi edhe qëndrimin e ndërkombëtarëve, reagoi përmes rrjeteve sociale Kryeministri Edi Rama.

“Zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor”, shkroi ai në Twitter, duke mos komentuar më gjatë, nga Brukseli ku ndodhet për një vizitë zyrtare.

https://twitter.com/ediramaal/status/1138472129635246080

Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla kujtoi rezolutën e socialistëve për të sinjalizuar se akti i Presidentit nuk ka asnjë vlerë juridike.

“Akti i paprecedent i Presidenti nuk ka asnjë vlerë juridike. Të fala Partisë Demokratike. Më vjen mirë dhe keq që një pjesë e juaja nuk e kanë lexuar siç duhet draftin e rezolutës së PS”, deklaroi ai.

Ministrja për Marrëdhëniet me Kuvendin, Elisa Spiropali e cilësoi joserioz arsyetimin e Presidentit Meta.

“E gjeta konsensusin tek këmbëngulja e të dyja palëve për të mos dialoguar! Këtë e thotë Presidenti i Shqipërisë, jo Bes Kallaku i Portokallisë. Duhet pranuar se kemi një president jo vetëm për të qarë hallin, po edhe për të mos harruar gazin”.

Për këtë akt të Presidentit, socialistët do të debatojnë të enjten në Kuvend një projektrezolutë. Projektrezoluta parashikon shqyrtimin e mundësive për nisjen e procedurave hetimore parlamentare për shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit Ilir Meta, ndërkohë që nxit Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjitha institucionet e tjera të përfshira në këtë proces të vazhdojnë me përgatitjet.

Rezoluta e mazhorancës garanton këto institucione se asnjë pasojë ligjore e penale nuk do të ndjekë këto institucione, pasi sipas saj, vendimi i Metës është nul.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë