Politike

Deklarata e samitit/ NATO josh Serbinë: Ballkani, rëndësi strategjike! Prishtina e Beogradi t’i kthehen dialogut

Në deklaratën prej 90 pikash të miratuar nga liderët e shteteve të anëtare të NATO-s një vëmendje e madhe i kushtohet edhe situatës në rajonin e Ballkanit, veçanërisht situatës së tensionuar të krijuar prej muajsh në veri të Kosovës.

Në deklaratë, NATO duket se josh Serbinë, duke i shtrirë dorën e bashkëpunimit.

“Forcimi i marrëdhënieve NATO-Serbi do të ishte në dobi të Aleancës, Serbisë dhe gjithë rajonit. Ne presim që Serbia të angazhohet me NATO-n dhe fqinjët e saj në një mënyrë konstruktive, duke përfshirë komunikimet e saj publike mbi përfitimet reciproke të bashkëpunimit NATO-Serbi”, thuhet në deklaratë.

Sa i përket tensioneve, NATO apelon që Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të shtensionojnë situatën e krijuar.

“Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe u bëjmë thirrje palëve të shfrytëzojnë momentin dhe të angazhohen me mirëbesim drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që menjëherë të depërshkallëzojnë, t'i kthehen dialogut dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të arritur së fundmi në Bruksel dhe Ohër”, thuhet më tej në deklaratë.

Një tjetër shqetësim për NATO është dhe situata e brishtë në Bosnjë-Hercegovinë. Aleanca shprehet qartazi se mbështet integritetin territorial të këtij shteti ballkanik, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Ne inkurajojmë pajtimin e brendshëm dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë të përmbahen nga retorika dhe veprimet përçarëse dhe secesioniste. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj aspiratave euroatlantike të vendit. Ne vazhdojmë të mbështesim përpjekjet për reforma, duke përfshirë paketën e sapo rënë dakord për Ndërtimin e Kapaciteteve Mbrojtëse, shtabin e NATO-s në Sarajevë, dhe mjetet e bashkëpunimit të gjerë të sigurisë dhe partneritetit, si dhe përmes Programit të Reformës së vendit me NATO-n. Ne inkurajojmë Bosnjë dhe Hercegovinën të përfitojë nga mbështetja e NATO-s dhe të intensifikojë përpjekjet për të bërë përparim në reformat në fusha kyçe, duke përfshirë reformat shumë të nevojshme politike, zgjedhore, sundimin e ligjit, ekonomike dhe të mbrojtjes, pa paragjykuar një vendim përfundimtar për anëtarësimin në NATO”, thuhet më tej në deklaratë.

Për NATO-n, Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike. “Ne mbetemi fuqishëm të përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor duke mbështetur reformat që avancojnë aspiratat përkatëse për NATO dhe BE të vendeve në rajon. Rajoni kërkon vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm nga Aleanca dhe komuniteti ndërkombëtar për t'iu kundërvënë këtyre sfidave. Vlerat demokratike, shteti i së drejtës, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik, dhe ne presim përparim të vazhdueshëm në këtë drejtim”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa premtohet se NATO do të mbështesë reformat, paqen dhe sigurinë rajonale, si dhe kundër ndikimit keqdashës, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, të paraqitura nga aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë