Jete & Stil

Dëgjimi i muzikës para gjumit mund të krijojë “krimba veshi”

Shumë njerëz dëgjojnë muzikë para gjumit për të pushuar, por një studim i ri tregon që kjo mund të ndikojë seriozisht në cilësinë e gjumit.

Ekspertët në Teksas kanë zbuluar se ata që dëgjojnë më shumë muzikë para gjumit kanë 'krimba veshi' (u mbetet një këngë në vesh dhe u duket sikur e dëgjojnë gjithë kohës) si dhe gjumë më të dobët.

Krimbat e veshit zakonisht prekin njerëzit ndërsa janë zgjuar, por studimi zbuloi se ato gjithashtu mund të jenë të pranishëm edhe gjatë përpjekjes për të fjetur.

Njerëzit të cilët përjetojnë krimba veshi rregullisht natën, një ose më shumë herë në javë, kanë gjashtë herë më shumë gjasa të kenë cilësi të dobët të gjumit krahasuar me njerëzit që rrallë përjetojnë krimba veshi.

Rezultatet bien në kundërshtim me idenë se muzika është hipnotike dhe mund të ndihmojë në gjumë, në fakt, truri vazhdon ‘të përpunojë’ muzikë për disa orë pasi muzika të ndalet.

Studimi përdori tre këngë shumë të dëgjuara: 'Shake It Off' nga Taylor Swift, 'Call Me Maybe' nga Carly Rae Jepsen dhe 'Don't Stop Believin' nga Journey.

Ai drejtohej nga Michael Scullin, një profesor i psikologjisë dhe neuroshkencës në Universitetin Baylor, i cili vetë ishte zgjuar më parë në mes të natës me një këngë të ngulitur në kokë.

"Pothuajse të gjithë mendojmë se muzika përmirëson gjumin por gjetëm që ata që dëgjuan më shumë muzikë flinin më keq", tha ai.

Truri ynë vazhdon të përpunojë muzikën edhe kur nuk ka muzikë përreth, përfshirë edhe kur jemi në gjumë.

Çuditërisht, studimi zbuloi se muzika instrumentale ka më shumë të ngjarë të çojnë në krimba veshi dhe të prishin cilësinë e gjumit sesa të tjerat.

Kjo kundërshton studime të tjera që tregojnë se muzika instrumentale është më qetësuese për të pushuar.

“Muzika instrumentale çon në rreth dy herë më shumë krimba veshi", tha Scullin.

Profesori Scullin këshillon njerëzit të moderojnë dëgjimin e muzikës ose të bëjnë pushime të herëpashershme nëse shqetësohen nga krimbat e veshit dhe të përpiqen ta shmangin atë pak para gjumit.

Studimi, i botuar në revistën Shkenca Psikologjike, përfshiu një sondazh dhe një eksperiment laboratorik.

Sondazhi përfshiu 209 pjesëmarrës të cilët përfunduan një seri sondazhesh mbi cilësinë e gjumit, zakonet e dëgjimit të muzikës dhe frekuencën e krimbave të veshit, përfshirë sa shpesh ata përjetuan një krimb veshi ndërsa përpiqeshin të binin në gjumë, duke u zgjuar në mes të natës dhe menjëherë pas zgjimit në mëngjes .

Në studimin eksperimental, 50 pjesëmarrës u çuan në Laboratorin e Gjumit dhe Njohjes së Gjumit të Scullin në Universitetin Baylor, ku ekipi hulumtues u përpoq të nxisë krimbat e veshit për të përcaktuar se si ndikonte në cilësinë e gjumit.

Pjesëmarrësit ishin të pajisur me pajisje polisomnografie e cila mat valët e trurit, frymëmarrjen, tensionin e muskujve, lëvizjet, aktivitetin e zemrës dhe më shumë ndërsa flinin.

"Ne i caktuam pjesëmarrësit në mënyrë të rastësishme të dëgjonin versionet origjinale të atyre këngëve ose versionet instrumentale të këngëve", tha profesori Scullin.

Pjesëmarrësit u përgjigjën nëse dhe kur përjetuan një krimb veshi. Pastaj ato analizuan nëse kjo ka ndikuar në gjumin e tyre gjatë natës.

Studimi eksperimental gjithashtu përdori elektroencefalografinë (EEG), një metodë e regjistrimit të aktivitetit elektrik të trurit që përfshin elektroda të vendosura përgjatë kokës.

Leximet e EEG u analizuan në mënyrë sasiore për të shqyrtuar shënuesit fiziologjikë të konsolidimit të kujtesës të varur nga gjumi.

Konsolidimi i kujtesës është procesi me të cilin kujtimet e përkohshme shndërrohen në një formë më afatgjatë.

"Ne menduam se njerëzit do të kishin krimba veshi para gjumit kur ata po përpiqeshin të binin në gjumë, por sigurisht nuk e dinim që njerëzit do të raportonin se zgjoheshin rregullisht nga gjumi me një krimb veshi", tha profesori Scullin.

Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta”Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë