Lajme

Debutim shokues i Argjentinës, fitojnë muskujt e Kolumbisë

Argjentina e ka nisur si mos më keq Kupën e Amerikës. Në ndeshjen debutuese ndaj Kolumbisë, Lionel Mesi me shokë kanë zhgënjyer si kurrë më parë, duke humbur 2-0. Kolumbianët kanë dominuar fizikisht dhe e kanë zgjidhur ndeshjen në 20 minutat e fundit, me dy gola të shënuar nga Roxher Martinez dhe Duvan Zapata. Vazhdon “mallkimi i Argjentinës” për Mesin, shumë larg formës së tij me Barcelonën.

Kolumbia ka bërë një paraqitje të shkëlqyer. Skuadra e drejtuar nga trajneri Karlos Kueiroz ishte mjaft simpatike për t’u parë, me një ritëm të lartë loje dhe një formë fizike për t’u admiruar. Ndoshta është dukur e tillë edhe për faktin se lojtarët e Argjentinës ishin hija e vetvetes, duke nisur nga ylli i skuadrës, Lionel Mesi. Vërtet e çuditshme që lojtari më i mirë në botë transformohet sa herë që vesh fanellën e kombëtares së tij, duke mos treguar asgjë nga vlerat që mbart. Është domethënës fakti që ndeshja mes dy skuadrave që konsiderohen favorite në Kupën e Amerikës, u zgjidh nga dy lojtarë që hynë në fushë si zëvendësues, çka do të thotë se Kolumbia ka alternativa edhe në stol.

Kolumbia feston golin e Duvan Zapatës

Trajneri i Argjentinës, Lionel Skaloni, i besoi në fillim treshes sulmuese Aguero-Di Maria-Mesi, ndërsa në krahun tjetër, Muriel dhe Hames Rodriguez mbështesnin Radamel Falkaon. Kualitet i lartë, që duket që në fillim. Aguero del përballë portierit Ospina, i cili i mbyll rrezen. Muriel dëmtohet pas çerek ore lojë dhe në fushë hyn Roxher Martinez, i cili thyen dominimin argjentinas, falë një pune të jashtëzakonshme edhe nga Kuadrado dhe Falkao. Në fushë ka shumë yje, por diferencën e bëjnë muskujt e futbollistëve të Kolumbisë. Argjentina tentoi me gjuajtjet nga distanca të Paredesit dhe Mesit, por pa rezultat. Mesi gabon në mënyrë të pabesueshme përballë Ospinës, duke gjuajtur jashtë. Më pas vjen ndëshkimi: Rodriguez jep një pasim për Martinez në të majtë, sulmuesi gjuan fort dhe e çon topin në cepin e portës së Armanit. Argjentina nuk ka fuqi të reagojë. Trajneri i Kolumbisë, Kueiroz, hedh në fushë edhe Duvan Zapatën, i cili pas 5 minutash në fushë, dyfishon shifrat.

Për Argjentinën duket se vazhdon kriza e thellë që tregoi në Botërorin e Rusisë dhe duket se nuk paska qenë vetëm faji i ish-trajneri Sampaoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë