Politike

Reforma/ Nga cinizmi i PS se Basha është veç 10%, te paqja me deputetët ‘Berisha’ dhe përjashtimi i Bashës nga Nikolla

Nga Gazeta Si - Kuvendi iu kthye të enjtes së normalitetit por mbi një orë debat secili në emër të procedurës u morën  për atë që nuk ishte në rend dite, reforma zgjedhore.

Kjo edhe për faktin se po sot (21 mars) përfundon edhe mandati i komisionit për zgjedhjet. Në fillim të seancës, Lulzim Basha kërkoi zgjatjen e mandatit.

“Për dikë që ka patur për dy vite rolin e bashkëkryetarit duhet të kishe treguar pak më shumë durim. Pas 6 muajsh sjellje vërdallë të propozimeve të opozitës duhet të kishit guxim të shpreheshit po apo jo. Lojërat e fjalëve nuk pijnë më ujë. Shqiptarët duan të dijnë se çfarë qëndrimi keni ju për propozimet tona. Nuk mund të gënjeni se nuk ka produkt, e keni aty. Në dhjetor 2022 paketën e parë, në nëntor 2023 paketën e dytë. Pazari i heshtur për interesa të ngushta mbërtheheni pas karriges. Ka të drejtë ministrja nuk e kemi ngritur zërin. Kërkoj ndjesë sot edhe si kryetar i PD-së. 2008 shkatërruan balancat konstitucionale. Gjithçka vendoset jashtë kësaj salle, për interesa të ngushta të një grupi njerëzish. Nuk është demokraci. 6 muaj teatër është momenti ti jepni fund. Dallohet që vendimin e keni marrë. I keni borxh shqiptarëve të jepni propozimet institucionale të PD. Që shqiptarët të kuptojnë jeni pro apo kundër listave të hapura”, tha Basha një replikë në fakt për Bledi Çuçin ku për herë të parë ndër radhë e cilësoi pakicë grupin ‘Basha’ edhe pse e trajtuan për me tepër se dy vjet si partia kryesore në opozitë në komisionin për reformën.

Çuçi i parapriu edhe një reagimi nga vetë bashkëkryetari i komisionit Enkelejd Alibeaj.

“Nuk mund të mos e përshëndes rikthimin e normalitetit në parlament. Por duhet të jetë real. Anormaliteti vazhdon kur parlamenti hesht. Sot është dita e fundit e reformës zgjedhore. Duket qartë pakti dhe marrëveshja. Heshtja. Ky parlament e ka për detyrë të deklarojë edhe dështimin e reformës ku detyrën e keni ju për të nxjerrë në rend dite produktin e reformës projektligjin e propozuar nga PD, 5 muaj më parë. Ne kemi depozituar variantin tonë listat e hapura, Shqipëria një zonë, votimi numërim elektronik, vota e diasporës. Kërkesa ime për procedurë është që sot të marrim kurajë dhe të votojmë edhe kundër të flasim shqiptarëve ashtu siç duhet. Të pranojnë pra që nuk duan listat e hapura, votën e diasporës, pranojnë pra që ti dhurojmë 6 mandate Edi Ramës me këtë sistem. Dhe të dalim pastaj përpara shqiptarëve. Kjo është një çështje që duhet të ndodh tani. Heshtja është pakt, pazar në kurriz të shqiptarëve. Për të mbrojtur listat e mbyllura. Bajlozat të rrinë këtu sepse kanë frikë. Deputetë që kanë frikë të përballen me qytetarët. T’i hapim letrat ta tregojmë se sa kurajozë jemi. Njofto që është depozituar ligji nga PD dhe të futet në procedura për listat e hapura, votim-numërim elektronik, votën e diasporës” tha Alibeaj.

“E përshëndes kthimin e kolegëve në normalitet dhe përfundimin e këtij aksioni absurd dhe kësaj marrëzie që bënë. Si duket kanë filluar të lexojnë sondazhe, por pavarësisht shkaqet që i çuan atje dhe arsyeja që i bën të kthehet në normalitet. Dua të them që vërtetë sot mbaron afati i një komisioni që ka zgjatur më shumë dhe po presim produktin përfundimtar të këtij komisioni. Duket nga deklaratat e Alibeajt që s’do ketë produkt përfundimtar.

 Alibeaj tha që produkti do ishte dokumenti që ne kemi dorëzuar në Kuvend. Çfarë komisioni bipartizan mund të ngrihet mbi këtë premisë, ku pakica vjen dhe thotë këto janë kushtet tona po deshi merrini po nuk deshët lërini, këtu është burimi I dështimit të këtij komisioni. Ne do t’i shqyrtojmë rekomandimet e komisionit, që si takojnë vetëm Kuvendit, por edhe institucioneve tjera dhe do mbajmë një qëndrim në Kuvend. Në lidhje me faktin nëse PS i do apo ajo, Po ne e kemi thënë dhe kemi ndryshuar ligjin që emigrantë duhet të votojnë, kemi bërë dokumentin se si duhet të votojnë. Ne nuk kemi ca bëjmë tjetër veçse të presim raportin përfundimtar të këtij komisioni bipartizan që ka funksionuar më gjatë se çdo komision tjetër dhe s’ka asnjë produkt si asnjë komision tjetër”, tha Çuçi.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali tha në fjalën e saj në Kuvend se Alibeaj dhe Basha që ngritën shqetësimin e reformës zgjedhore nuk e kanë bërë këtë gjë për 10 vite me radhë kur kanë pasur funksione të larta në PD.

“Nuk mund të vish pas 10 vitesh dhe të kujtosh që duhet përmbysur sistemi. Ne e ngritëm atë komision për të gjetur dakordësinë dhe për të gjetur opsione që janë afër. Nuk jemi aty të presim ultimatume qesharake që na detyrojnë një opsion apo një tjetër. Është komisioni më jetëgjatë dhe më pa produkt për arsyet tuaja”, tha ajo. Basha doli disa here ne podium për të njëjtën çështje, ndërsa Bardhi që qëndronte krah tij ulur në Kuvend tha se ka pasur pazare mes Bashës dhe PS-së që mos të realizoheshin ndryshimet dhe ‘bënë sikur punuan dy muaj’.

“...Sa i takon Reformës Zgjedhore, rikthehuni diskutimeve që kemi bërë në korrik dhe shtator 2023 kemi kërkuar të mbahen përgjegjës ata që për 2 vite e mbajtën peng. Kishte Pazar që mos t’i ofronit shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, që voton mos ta deformojë krimi i organizuar. Në skadim të këtij komisioni të turpshëm që për 22 muaj nuk zhvilluan mbledhje dhe bënë sikur punuan dy muaj, ky Kuvend duhet t’i mbajë përgjegjësi për dështimin e reformës zgjedhore. Në një kohë të shkurtër ti japim qytetarëve një reformë dhe jo një tallje me teza jenisheresh kthehen sa herë që dikush ka nevojë për t’u bërë deputet”, tha Bardhi. Reagoi sërish Basha edhe pse kishte një tërheqje vëmendje nga Lindita Nikolla se, po fliste jashtë radhe dhe jashtë axhendës së rendit të ditës. Dikush tjetër nga PS-ja, madje, kërkoi ta minizimonte rolin e Bashës në Kuvend. Deputeti i PS-së, Toni Gogu gjatë një replike nga vendi, duke iu referuar një mësuese matematike (që i kishte shkruar), tha se Basha përfaqësonte vetëm 10% të numrave ndaj nuk mund të kërkonte produkt me ngulm për reformën zgjedhore.   

Basha nga ana tjetër bllokoi foltoren për të njëjtën çështje, duke sjellë reagimin e Lindita Nikollës. ‘Jeni i përjashtuar z.Basha, lironi sallën dhe foltoren”, tha ajo, duke kërkuar pesë minuta pushim me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë