Politike

Basha: Merkato Rama-Berisha sapo nisi, do ndryshojnë edhe ligjin e dekriminalizimit

Nga Gazeta Si - Kryetari i PD-së zyrtare Lulzim Basha tha pas daljes së tij nga salla e Kuvendit se merkatoja sapo kish filluar mes PS dhe PD-së së Rithemelimit. Basha nuk specifikoi por la të kuptojë se do të bëhen pakte të nëndheshme për zgjedhjet dhe ndryshimin në ligjin për dekriminalizimin, një pjesë e së cilës nga PS-ja është bërë publike.

“...Pati një pretendim sikur ky ishte fundi i një merkatoje. Në fakt sot fillon merkatoja. Sot ishte fundi i një përpjekjeje transparente para shqiptarëve, për t’i dhënë shqiptarëve atë që meritojnë ata dhe jo atë që duan protagonistët e këtij pazari. Viktimë e këtij pazari janë shqiptarët të cilët përballen me këtë skenar. Dhe po ua them skenarin. Nga njëra anë, pra duan të shkatërrojnë një komision bipartizan dhe të njëjtën gjë kanë bërë dhe në 2008-ën. Në 2008-ën u shkatërrua komisioni bipartizan dhe u bë një negociatë e nëndheshme që i çoi në ndryshimet kushtetuese të 2008-ës. Dhe tani duken shenjat nga të njëjtët protagonistë...

Dua t’u tërheq vëmendjen ndaj diçkaje që Partia Demokratike dhe unë personalisht e kemi denoncuar disa herë javën e kaluar dhe që meriton vëmendje. Një nga propozimet e Damian Gjiknurit, një protagonist i 2008-ës, janë ndryshimet në ligjin e dekriminalizimit. Ligji i dekriminalizimit është një nga arritjet e pakta të parlamentit shqiptarë, sigurisht krenar që është propozimi i imi dhe i Partisë Demokratike që pamundëson që personat me rekorde të tmerrshme kriminale përfaqësojnë qytetarët e Shqipërisë. Dhe kur bëhet fjalë për rekorde të tmerrshme kriminale, nuk bëhet fjalë për gjobitje për shkelje dritash trafiku. Bëhet fjalë për korrupsion dhe për krim të organizuar. Ndaj, merkato sapo ka filluar. Do të bëhet largë syve të shqiptarëve, do të bëhet në një format që i shërben interesave private të një grushti njerëzish...”, tha Basha


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë