Politike

Debati/ Basha mbledh kryesinë e grupit, Noka: Vendimi për Berishën ishte thikë pas shpine

Vendimi për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar pritet të mbetet tema e ditës në forumet më të larta drejtuese të PD-së sa kohe që aty bëjnë pjesë deputete që janë kundër.

I tillë ishte edhe debati që Flamur Noka bëri me Lulzim Bashën në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar demokrat të hënën në mesditë.

Noka, i pozicionuar hapur me fjalë dhe lëvizje pro Berishës, është shprehur gjatë mbledhjes se vendimi i Bashës ishte thike pas shpine dhe se nuk mund të ketë diskutim tjetër deri sa t’i jepet zgjidhje kësaj çështje.

Por Lulzim Basha ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke nënvizuar edhe njëherë se për Berishën nuk ka kthim.  

“Vendimi për Sali Berishën nuk ka me kthim pas! Doktori nuk është përjashtuar përfundimisht, nuk është linçuar. Ndaj tij janë thënë fjalët më të mirë.

Por siç ka deklaruar edhe vetë ai do të ndjek procesin gjyqësor. Dhe derisa e vërteta të dalë në shesh do të qëndroj jashtë grupit. Ai nuk është përjashtuar as nga strukturat që të ishte nevoja për mbledhjen organeve të PD.

S’ka për të pasur grup anti-amerikan në logon e PD. Jam marrë tre muaj për zgjidhjen e këtij konflikti, nuk ka qenë vendim i marrë në minutat e fundit. Vendimi është marrë për të mos përçare partinë dhe demokratët”, është shprehur Basha.

Zyrtarisht, nënkryetari i PD, Enkeleid Alibeaj tha pas mbledhjes se i gjithë takimi kishte si qëllim vetëm një objektiv; opozitarizëm ndaj kësaj qeverie.  

“Diskutuam strategjinë e opozitës në Parlament, pastaj do detajojmë punën në komisione. Armiku i vetëm i shqiptarëve është Edi Rama. Me atë do luftojmë të gjithë, me strategji dhe me çdo mjet tjetër”, tha Alibeaj për mediat

Gjatë mbledhjes është vendosur gjithashtu që Agron Gjekmarkaj të zgjidhet drejtues i PD-se për qarkun e Lezhës pas dorëheqjes së Mark Markut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë