Futboll

David Luiz dhe humbja 7-1: Për gjashtë muaj, shumë prej nesh u fshehën

Ishte një humbje e paharrueshme që goditi thellësisht Kombëtaren braziliane, lojtarët e saj dhe mbështetësit e shumtë verdhëjeshil. Ajo e pësuar në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, luajtur pikërisht në Brazil në 2014, është quajtur Mineirazo. Një disfatë 7-1 që hyri në histori dhe që mbetet ende e pashlyeshme në mendjen e atyre që e përjetuan atë ditë, si David Luiz.

Duke folur për mikrofonat e Globo Esporte, mbrojtësi brazilian i Arsenal, ka ripërshkuar atë ndeshje, momentet e përjetuara në fushë e ato pas përfundimit të turneut botëror. “Për gjashtë muaj, shumë nga ne lojtarët u fshehën”, ka treguar David Luiz. “Disa nuk donin të merrnin përsipër përgjegjësitë dhe as ti ndanin me të tjerët. Për shumë kohë mu desh të duroja peshën e asaj humbje i vetëm. Nuk ishim gati ose të mësuar të humbnim. Aq më pak të pësonim një, dy ose tre gola e të nervozoheshim. Jemi Brazili e për të gjithë ishte një goditje e rëndë”.

“Futesh në ndeshje e mendon të fitosh. Je Brazili dhe duhet të futesh gjithnjë në fushë për të fituar. Por papritur pëson një gol, pastaj të dytin dhe të tretin. Gjithçka shkon keq dhe vazhdon të shkojë edhe më keq. Shkoi pikërisht kështu …”. Për Selecao humbja 7-1 është më e rënda nga 1920 ndërsa për Gjermaninë ishte kartëvizita më e mirë për finalen, e fituar më pas kundër Argjentinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë