Lajme

Data e re e zgjedhjeve, Meta nis sot konsultimet me partitë politike

Presidenti Ilir Meta do të nisë sot konsultimet me partitë politike për të caktuar datën e re të zgjedhjeve.
Sipas burimeve nga Presidenca, takimet e para do të nisin sot në orën 19:00 me krerët e partive të Grupimit të Qendrës së Djathtë.
Mësohet se takimet do të nisin fill pas vizitës në Prishtinë ku Presidenti Meta do të marrë pjesë në festimet e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Ndërsa dje në një konferencë të jashtëzakonshme, Presidenti Ilir Meta sqaroi arsyet e vendimit për të zhdekretuar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke dhënë dhe argumentet se pse e ndërmori një akt të tillë.
Një ndër arsyet kryesore që ndërmori për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, sipas tij, ishte se kishte informacione nga institucionet ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë se do të kishte trazira më 30 qershor. Meta hodhi poshtë se vendimi i tij ka ardhur për të plotësuar tekat e opozitës.

Një ditë me parë dekreti i Presidentit Ilir Meta, që shfuqizon 30 qershorin është botuar në Fletoren Zyrtare. Kjo do të thotë se ai ka hyrë në fuqi dhe do të qëndrojë si i tillë deri kur të vendoset mbi institucionin që do ta vlerësojë dhe kushtetutshmërinë e tij.

Mbetet për t’u parë se si do të veprojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas këtij botimi. Në mbledhjen e zhvilluar ditën e hënë, ky Komision e cilësoi si nul dhe pa efekt ligjor dekretin presidencial dhe kërkoi vazhdimin e përgatitjeve për zhvillimin e zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë