Dasmat shqiptare para viteve 90-të mund të kenë qenë gjithçka përveçse të zakonshme.
Një fotografi e publikuar së fundmi nga Michel Setboun, të paktët fotografë të huaj që kanë pasur mundësi të shohin disa prej tyre gjatë komunizmit, ka tërhequr jo pak vëmendje në mesin e adhuruesve të fotografisë.
Tashmë këto foto ku nusja është e mbytur e tëra në vaj, dhe nuk është aspak e gëzuar mund të shihen në ekspozitën “Fundi. Fillimi”. Fotografi francez Michel Setboun sjell në qendrën COD në kryeministri një dokumentar fotografik të dekadës më të spikatur në historinë e shoqërisë shqiptare: kalimin nga sistemi diktatorial në demokraci.
Me emrin "Fundi. Fillimi”, ai do të shfaqë 99 fotografi me madhësi të mesme dhe të mëdha, ato përfaqësojnë Shqipërinë e viteve 1981-1991 duke shfaqur momente të varfërisë ekstreme, eksod masiv përtej kufijve dhe shpresë për liri dhe ndryshim. Në këtë ekzpozitë nuk mungojnë nga tre ngjarjet më të rëndësishme në jetën e njeriut: lindja, vdekja dhe martesa, siç është edhe fotoja e mësipërme.
Ajo është realizuar në një dasmë në veri të Shqipërisë. Nusja duket e tmerruar, po kështu edhe njerëzit që e shoqërojnë. Dalja e vajzës nga dera e shtëpisë së babait ka qenë një rit i shoqëruar me lot e trishtim nga njerëzit e shtëpisë teksa e përcjellin në shtëpinë e bashkëshortit. Këto imazhe aspak të zakonshme vijojnë të jenë interesante për publikun e huaj që kërkon të shohë zakonet shqiptare. Ekspozita e fotografit francez do qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.