Futboll

Dan Friedkin blen Romën, firmoset akordi për 591 milionë euro

Roma është zyrtarisht e Dan Friedkin. Firma ka ardhur pas bisedimeve të stërgjata. Mbyllet kështu era e Xhejms Palotës në krye të klubit roman, që kishte nisur prej gushtit të 2012-ës. Tashmë klubin e merr në dorë manjati nga Teksasi, i cili ka paguar shumën e 591 milionë eurove. Nga kjo shumë, rreth 500 milionë i përkasin presidentit Palota dhe ortakëve të tij, kurse pjesa tjetër do të përdoret për administrimin e momentit të klubit.

Skuadra ndodhet në Duisburg dhe do të përpiqet t’i bëjë presidentit të ri një dhuratë në ndeshjen e Ligës së Europës me Seviljen, duke synuar kalimin në çerekfinale. "Të gjithë pjesëtarët e “Friedkin Group” jemi të lumtur që kemi bërë hapat e duhur për t’u bërë pjesë e këtij qyteti dhe këtij klubi. Mezi presim t’i bashkohemi familjes së madhe të Romës”, - shkruhet në njoftimin e “Friedkin Group”. Friedkin do të jetë presidenti i 24-t në historinë e Romës.

Pas tërheqjes të grupit nga Kuvajti, për Palotën nuk kishte më dyshime. Mundësia e vetme ishte që t’ia shiste Romën Friedkin, duke parë që të tijtë e kishin vënë me shpatulla pas murit. Me anë të një videokonference është arritur akordi final. Friedkin do të ketë 86,6% të aksioneve verdhekuq. Transaksionet do të mbyllen brenda fundit të gushtit. Palota largohet pas 8 vitesh dhe me një humbje prej rreth 100 milionë eurosh.

Ringritja e Romës tashmë i takon Dan Friedkin dhe djalit të tij Rajan, i cili do të jetë personi i ngarkuar me detyrën për të drejtuar klubin dhe për të stabilizuar situatën. Friedkin pritet ta nisë punën nga “xhevahirët” e shtëpisë, Pelegrini dhe Xaniolo, te të cilët do të bazohet projekti i ri. Pastaj do të jepen detajet e merkatos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë