Opinion

Dalzotësit e politikës shqiptare

I ka braktisur qytetarët dhe nuk u del për zot! Kështu shprehej Monika Kryemadhi në një takim me banorët e zonës së Kombinatit, që pësuan dëme nga tërmeti i  një viti më parë

“Ne nuk do ta lejojmë, unë kaq po ju them do të jem këtu me ju”, do të shprehej kryetarja e LSI-së e cila në karrierën e saj politike e më shumë, gjatë lidershipit të partisë pikën më të fortë e ka pasur në komunikimin e drejtpërdrejtë, në terren me qytetarët.

Qoftë në protestat që pasuan  djegien e mandateve parlamentare apo në rreshtimin në krah të banorëve të Astirit  - ku zotohej me fjalë zemre e dashuri nëne për kompensimin e dëmeve- apo në rezistencën kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, artikulimi i zonjës Kryemadhi ka qenë i drejtpërdrejtë dhe popullor.

Kryemadhi në Kombinat, 21 tetor 2020

Por nga Kombinati, ndërsa partitë e kanë nisur fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021, Kryemadhi del nga skemat e platformave elektorale dhe rreshtohet në mbrojtje të qytetarëve, duke u zotuar se do t’i ndalë ato që i quan padrejtësi apo vjedhjeve të asaj që e ka cilësuar shpesh si “Edi Rama dhe banda e tij”.

“25 prilli nuk është larg. Unë  nuk dua të futem në votë, por ne kemi për detyrë t’ju dalim përkrah”, është shprehur kryetarja e LSI-së, ndërsa ka  shtuar se do t’i bëjë letër prokurorisë e bashkisë, duke mos i kursyer akuzat ndaj qeverisë, që sipas saj aty “do të ndërtojë qendër tregtare dhe do të pastrojë lekët e drogës”. Premtimi ndaj banorëve të Kombinatit në frikë se do t’u tjetërsohen pronat,  nuk i ngjante shpalosjes së ndonjë pike elektorale, porse asaj të një fjale të dhënë.

Pak orë më vonë,  kreu i PD-së në konferencën e tij për mediat, ku hodhi akuza mbi keqqeverisjen Rama, kritikoi buxhetin dhe i bëri thirrje SPAK-ut për të hapur hetime ndaj anëtarëve të qeverisë –sipas tij grup i strukturuar kriminal – foli si një dalëzotës i popullit për qeverisjen  e ardhshme, me gjithë parashtresën prej ditësh të Planit të tij me Pesë Pika.

Basha në takimet me qytetarë

“S’kam për t’i lënë pensionistët pa pensione, vogëlushët në mjerim, dhe shqiptarët që nuk u jepet kacidhe. Do ua nxjerrim nga kostot, nga hunda çdo qindarkë që u kanë vjedhur shqiptarëve”, u shpreh Basha para gazetarëve, që iu përgjigjur edhe  kryeministrit Rama në daljen e sotme për mediat, se nëse zgjedhjet do të ishin këtë të diel, do ta fitonte PS.

“Do doja shumë që zgjedhjet të ishin këtë të diel, asgjë s’do  na ndalojë ta marrim e ta rikthejmë çdo para të zhvatur e vjedhur”, u zotua Basha, që në retorikën e tij përpiqej të dukej bindës se do të jetë kryeministri që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Basha në takimet me qytetarë

“Në emër të prindërve shqiptarë që kanë humbur vendet e punës dhe s’kanë të paguajnë për bukën e fëmijës, në emër të mjekëve dhe infermierëve që janë te vetmit në rajon që s’kanë përkrahje, në emër të pensionistëve që ka ndarë 6 herë më pak, çdokujt që ka ndërmend të krijojë një lidhje kontraktuale katër  muajt e fundit, të jetë shumë e kujdesshme pas çdo kontratë do kalojë nga ligji anti-mafia”, u shpreh kreu i selisë blu, i cili në rrugëtimin e stuhishëm të vitit të fundit me djegie mandatesh, bojkot zgjedhjesh e protestash,  duket se është rikthyer në rrugën e tij; atë të liderit me tipare perëndimore, që në vend të karizmës shpalos plane konkrete ekonomike e  sociale të opozitës që kësaj here, megjithë betejat në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore dhe faktit të kryer në Parlament të ndryshimeve  kushtetuese për koalicionet, ka pranuar të hyjë në zgjedhjet parlamentare të pranverës së ardhshme.

 “Shqetësimi kryesor i imi është ai i qytetarëve. Nuk kursej asgjë që do ta ndihmonte situatën nëse zgjedhjet do ishin mbajtur në 2019 rruga e së keqes do ishte shkurtuar, sa më shpejt të shkurtohet aq më mirë. Unë detyrën kam për ta bërë për interesat e shqiptarëve të thjeshtë. Kjo nuk është kacafytje politike, por luftë për ta larguar Shqipërinë nga e keqja”, përgjigjej Basha si koment për thirrjet e aleatit të tij, kreut të PR-së Fatmir Mediut ndaj presidentit Meta për të shpërndarë parlamentin.

Presidenti Meta në tubimin e 2 marsit.

Kreu i shtetit ka qenë ndoshta, në vitin që lamë pas dhe në këtë që po lëmë, dalëzotësi më i madh i Kushtetutës, qyshse vendosi që me anë të një dekreti të ri qershorin e vitit të kaluar të shfuqizojë 30 qershorin e zgjedhjeve lokale.

Një tubim i thirrur më 8 dhjetor të 2019-s për Referendum në Mbrojtje të Kushtetutës, i anuluar më vonë për shkak të pasojave që la tërmeti shkatërrimtar,  ai i organizuar më 2 mars ku Meta  përcolli ultimatumin e 15 marsit, duke paralajmëruar në nëntekst shpërndarjen e Parlamentit- sipas tij ilegjitim dhe gjysmak me vetëm 122 deputetë-, e deri tek thirrjet e fundit për reflektim ndaj Kodit Zgjedhor, ose përndryshe  25 prilli do të jetë  një referendum “më i madhi nga koha e Skënderbeut”.

Kryeministri Rama që paraditen e së martës, bashkë me ministren e Infrastrukturës, shpalosi veprat e mëdha si aeroportet e Kukësit apo të Vlorës, një port pranë Durrësit, tuneli i Llogarasë apo aksi Milot-Fier.

“Ne jemi të vetëdijshëm se sa shumë ka për të bërë, ne kemi qartësisht mirëkuptimin e shumicës së arsyeshme të shqiptarëve dhe anketimet, nëse zgjedhjet bëhen të dielën në dalim më mirë ata më keq se zgjedhjet e kaluara”, shprehej kryeministri, në përpjekje për të bindur se PS nuk kishte nevojë për rrugë që të fitonte zgjedhjet dhe se përmbushja e këtyre veprave, nuk ishin asfalte elektorale. “Pa hyrë t’ia numëroj të gjitha në jemi në përmbushje të objektivave të mandatin dhe nuk është mungesë modestie, por nuk kemi nevojë për asnjë nga këto për të fituar zgjedhjet”.

Por kryeministri Rama e ka nisur fushatën elektorale shumë më përpara se palët politike të binin në dakordësi në Këshillin Politik – sigurisht jo pa shtysën e ndërkombëtarëve që i bënë bashkë në selinë e ambasadës së ShBA-së më 5 qershor.

Rama në takimet me qytetarët e dëmtuar nga tërmeti

Si një lider karizmatik, si një baba i dhembshur i kombit, kryeministri zgjodhi të vizitojë vetë, nga afër, banorët e dëmtuar nga  tërmeti i 26 nëntorit, të marrë pjesë në ceremonitë mortore të 51 viktimave, të shoqërojë të dëmtuarit në spitale, t’i presë pas rikuperimit dhe madje të plotësonte ëndrrat fëminore të dy djemve të mbijetuar për të takuar yjet e ekipit të Juventusit apo të hapë dyert e banesave të reja a të restauruara për banorët e dëmtuar.  Gjithçka përpara kamerave, në lidhjet direkte nga kanali i tij në Facebook, ERTV, të transmetuara me minuta të tëra dhe orë nga kanalet televizive lokale e kombëtare. Madje edhe Konferenca e Donatorëve, më 17 shkurt, ku u mblodhën në formë donacionesh,  grantesh e huash 1.15 miliardë euro,  u duk si një arritje personale e  kryeministrit Rama.

Kryeministri Rama me banorët e dëmtuar nga tërmeti

Pandemia, që solli që pas identifikimit të rasteve të para me koronavirus izolimin e plotë, e shtoi dozën e shfaqjeve të kryeministrit, që në ligjërimin e tij të shpeshtë nuk harronte të theksonte se ishte falë tij, masave që mori, që shqiptarët kishin numër të ulët infektimesh e për pasojë vdekjesh. Aq sa daljet e tij të mbrëmjes, kur zhvillonte telefonata me qytetarët, u kthyen në anekdotike, po aq sa mesazhi i tij telefonik, që kujtonte shqiptarët të lanin duart, të ajrosnin shtëpitë e të mos e linin atë.

Të izoluar, rrethuar nga pasiguria dhe shifrat e frikshme të vdekshmërisë në Italinë fqinje dhe thëniet kontradiktore të komunitetit shkencor ende jo në gjendje të jepte përgjigjen përfundimtare për virusin e ri dhe kurën kundër tij, daljet e shpeshta të Ramës po ktheheshin në komfortin e një populli të frikësuar. Kryeministri Rama zgjodhi në të dy rastet e fatkeqësive  të mos shfaqej thjesht si kreu i Ekzekutivit, por si baba kombi, hera-herës duke i mveshur vetes edhe nuancat e një lideri shpirtëror me citime nga profetë biblikë a kuranorë dhe si një dalëzotës i halleve të popullit.

“Politika ka lindur nga nevoja për të bërë sëbashku gjëra që të vetë nuk i bëjmë dot,  nga nevoja për të ngjitur të  përpjetën e pambarimtë drejt përmirësimit të pandalshëm të kushteve të jetës së tyre”, do të shprehej Rama në nismën e Partisë Socialiste “Deputeti që duam”.

Por në daljet dhe retorikën e tij ka reflektuar se ia ka dalë i vetëm, në sajë të vizionit të tij, që opozitës i ka munguar. Ndaj shprehet se për këtë do të ketë një mandat të tretë. Por me të njëjtën filozofi dalëzotësish artikulohen edhe liderët e opozitës, ndoshta të bindur se shqiptarëve nuk u mjaftojnë planet e qeverisjes apo ndoshta as nuk u duhen, kur ende sytë shohin vetëm ngjyrat e liderëve.../S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë