Futboll

Daja: Partizani po konsolidohet, por duhet të shënojmë më shumë

Superiorja nuk ka kohë për të humbur, pasi Covid-i dhe ndërprerja për shkak të ndeshjeve të Kombëtares e kanë lënë disi prapa. Nesër luhet java e 4-t e kampionatit, që vjen me disa sfida interesante, siç është ajo mes Teutës dhe Vllaznisë kryesuese, por edhe ndeshjet e pretendentëve si Tirana e Partizani tërheqin vëmendjen.

Partizani i trajnerit Ilir Daja, pas barazimit pa gola me Laçin, luan në Fier me Apoloninë. Trajneri kryeqytetas ka folur me vlerësim për kundërshtarin në konferencë shtypi, por nga ekipi që drejton pret fitoren.

“Apoloninë e shohim si sfidë radhe. Në këto javë të para është konfirmuar se nuk ka ndeshje të lehta, ekipet janë aty-aty. Apolonia ka një ekip me djem të rinj që duan të promovohen, janë të motivuar. Të njëjtën shkallë motivimi duhet të kemi dhe ne. E kam ndjekur Apoloninë, ndryshon shpesh në vendosje, luan në fushën e saj dhe do jetë agresive për të marrë rezultat pozitiv. Presim një Apoloni tjetër nga ajo që u përballëm në kupë”, - theksoi Daja sa i takon kundërshtarit.

Trajneri Daja në konferencë shtypi. Gazeta Si, 24 nëntor 2020

Më pas trajneri i të kuqve ka analizuar ekipin e tij, duke theksuar se mungesat nuk janë justifikim: “Ekipi duhet të dalë më shumë para porte, sepse nëse ke shumë raste, mund të shkosh te goli. Jam i kënaqur me përmirësimin e skuadrës, e treguam kundër Laçit. Manovra po konsolidohet, gjërat po shkojnë pozitivisht, por na duhet vazhdimësi. Ato gjëra që i kemi bërë mirë duhet t’i shtrijmë në një minutazh sa më të madh. Luhatjet janë normale, por më jep besim fakti që djemtë kanë qenë të motivuar maksimalisht.

Nuk duhet të fokusohemi te mungesat, pasi me këtë kampionat të ngjeshur do ta kemi këtë problematikë gjatë gjithë kohës ne dhe rivalët. Nuk jemi të plotë, por ata që janë në dispozicion besoj se bëjnë maksimumin për të minimizuar mungesat që kemi”, - ka shtuar Daja.

I ngacmuar për derbin me Tiranën, trajneri i Partizani e ka anashkaluar atë, duke e mbajtur vëmendjen vetëm te ndeshje e nesërme. “Kemi rival vetëm Apoloninë, fokusohemi vetëm te kjo ndeshje, më pas do të shohim kush janë rivalë më të fortë. E thashë që në fillim se nuk ka ndonjë diferencë të madhe.

Derbi? Nuk mendojmë për të, as për Skënderbeun që luajmë të dielën. Duam të marrim maksimumin në ndeshjen e radhës. Pres motivim të skuadrës dhe konsolidim më të mirë drejt finalizimit. Me rastet e krijuara duhet të shkojmë te goli, që të jep qetësi psikologjike”, - ka përfunduar trajneri i të kuqve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë