Njerez

Daily Mail: Gangsterët shqiptarë kontrollojnë tregun e drogës në Britani, burgjet po tejmbushen

Nga Gazeta Si- Narkosja shqiptare që vërshon rrugët tona me drogë: Si gangsterët pushtues morën kontrollin e tregut të drogës në Britani - dhe po mbushin burgjet kaq shpejt sa qeveria po i dërgon në shtëpi herët

Gangsterët shqiptarë kanë marrë nën kontroll gjithë tregun e drogës në Mbretërinë e Bashkuar, duke bërë që burgjet britanike të mbushen aq shpejt sa qeveria po dërgon në shtëpi disa prej tyre më shpejt se sa është caktuar.

'Daily Mail' shkruan se bandat nga shteti ballkanik tani 'ushtrojnë kontroll të madh’ mbi trafikimin e kokainës, me kriminelë që importojnë drogë në kontinentin e Evropës përmes porteve në Anglinë juglindore.

“Një gjykatës ka paralajmëruar se fermat e kanabisit që drejtohen nga rrjetet kriminale shqiptare kanë arritur 'nivele epidemike' dhe, sipas gjykimit të tij, ‘po bëhen si industri'”, shkruan Daily mail.

Të ndihmuar nga aleancat me kartelet e drogës të Amerikës së Jugut, këta gangsterë brutalë po e përforcojnë kontrollin e tyre duke përdorur një kombinim të frikës dhe dhunës, ndërkohë që janë pjesë e mediave sociale duke ndarë foto të drogës, armëve dhe parave.

“Shkalla e valës së krimit po ushtron presion mbi burgjet tashmë të mbingarkuara në Mbretërinë e Bashkuar, me Qeverinë e detyruar të bëjë marrëveshje me Tiranën për të lejuar deportimin e kriminelëve përpara përfundimit të dënimit”, shkruan Daily Mail.

Megjithatë, disa të rinj shqiptarë po hyjnë fshehurazi në Britaninë e Madhe dhe po bashkohen me bandat e drogës me qëllim që të dërgohen në burg, në mënyrë që të mund të pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne dhe të fitojnë azil, siç zbuloi së fundmi MailOnline.

Tregu i kokainës në Mbretërinë e Bashkuar thuhet se vlen 2 miliardë £ me rreth 976,000 përdorues, ndërsa numri vjetor i vdekjeve të lidhura me kokainën është rritur shtatëfish në një dekadë dhe tani qëndron në 840.

Hulumtimi i Agjencisë Kombëtare të Krimit ka treguar se grupet e krimit të organizuar nga shqiptarët kontrollojnë tregun e kokainës në të gjithë qytetet kryesore dhe zonat periferike të MB (me përjashtim të Merseyside, ku gangsterët vendas mbeten në krye).

Rreth 140,000 shqiptarë jetojnë në Britaninë e Madhe, shumica dërrmuese e të cilëve “punojnë shumë dhe paguajnë taksat” e nuk e gjejnë veten në anën e gabuar të ligjit.

Por, shkruan Daily Mail, kërcënimi që vjen nga pakica kriminale është i padiskutueshëm dhe është rritur vetëm pas mbërritjes vitin e kaluar të më shumë se 12,000 shqiptarëve në varka të vogla, një 'numër i konsiderueshëm' prej të cilëve punojnë në bandat e drogës, ka thënë Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA).

Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë