Futboll

Çudira holandeze, arbitri i jep 4 kartonë të kuq kundërshtarit dhe feston me ekipin tjetër titullin…pezullohet përjetë!

Nga Gazeta 'Si'-Një arbitër holandez ka marrë një pezullim të përjetshëm për festimin e fitimit të titullit të një ekipi holandez pasi u dha katër kartona të kuq kundërshtarëve.

Zyrtari Jan Smit, 61 vjeç, ishte në krye të ndeshjes mes St. George dhe SV De Valken kur ndodhi një përfundim i çuditshëm. Smit përjashtoi tre lojtarë të De Valken dhe një pjesëtar të stafit të tyre stërvitor, ndërsa shtoi edhe 15 minuta deri në fund të ndeshjes.

Kjo rezultoi e mjaftueshme për të vulosur kampionatin, përpara se Smit të shihej duke festuar me lojtarët e St.George. Një video që u shfaq në rrjetet sociale madje tregonte Smit duke u ngjitur në podium dhe duke ngritur trofeun me skuadrën që ishte shpallur kampione dhe që ai kishte favorizuar.

Ai gjithashtu thuhet se ka kënduar këngë gjatë skenave të gëzimit. De Valken ka paraqitur një ankesë kundër gjyqtarit të futbollit, i pezulluar më parë në vitin 2021 për "sjellje të pahijshme". Pas kësaj Federata Holandeze e Futbollir, i ka dhënë tani një pezullim të përjetshëm.

Një deklaratë nga zëdhënësi i KNVB, Daan Schippers, thoshte: “Ne morëm disa ankesa pas ndeshjes së së dielës. Këtë mëngjes ne telefonuam zotin Smit dhe i thamë se nuk lejohet më të gjykojë ndeshje. Ne presim një qëndrim neutral nga arbitri dhe që të dyja skuadrat të trajtohen me respekt. Ky është padyshim qëndrimi ynë”.

Por Smit iu kundërpërgjigj vendimit, duke këmbëngulur se nuk beson se kishte gabuar. Duke folur për NH Nieuws, ai tha: “Unë nuk po festoja fare me lojtarët. Unë vetëm këndova një këngë dhe e ngrita trofeun një herë. Kjo është e vetmja gjë. Më duket shumë e trishtueshme që KNVB (Federata holandeze) po më largon për këtë arsye. Është qesharake. KNVB nuk ka kryer asnjë hulumtim dhe ka parë vetëm një video. Mendoj se përulja ka përfunduar tashmë, por nuk do të gjunjëzohem më si dy vjet më parë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë