Futboll

Cristiano Ronaldo, futbollisti i parë miliarder

Cristiano Ronaldo shton një tjetër rekord në vitrinën e tij të titujve personalë. Një rekord me shumë zero. Nëntë më saktësisht. Fenomeni portugez është bërë në fakt lojtari i parë që ka fituar më shumë se një miliard dollarë. Një arritje të tillë më parë e kishin arritur vetëm dy sportistë të tjerë të mëdhenj: golfisti Tyger Woods dhe boksieri Floyd Mayweather.

Ronaldo është i vetmi miliarder i një sporti skuadre. Një vend i parë që nga njëra anë tregon madhështinë e kampionit portugez dhe në tjetrën aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të maksimizuar të ardhurat, duke u kthyer në një makinë, jo vetëm golash, por edhe parash.

Mes pagave, shpërblimeve e sponsorizimeve, në 17 vjet, CR7 ka çuar në shtëpi më shumë se 1 miliard dollarë. Një shifër impresionuese, pasi  rivali i përjetshëm i fushës Leo Messi, nuk i afrohet tek financat: për momentin i ndalur në kuotën 605 milionë dollarë, edhe pse me tre vjet më pak karrierë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë