Analize

Ç’po “gatuajnë” për Kosovën Trump, Putin dhe Merkel?

Nga Xhuliana Toci - "Kur bie fjala te Kosova, ne po luajmë shah pa mbretëreshën”. Kjo ka qenë një nga deklaratat më të forta të presidentit serb Aleksandër Vuçiç drejtuar komunitetit ndërkombëtar në lidhje me dialogun Prishtinë-Beograd, deklaratë e cila mori kuptim më shumë së kurrë këtë të diel në Paris.

Më shumë se 70 liderë botërorë u mblodhën në kryeqytetin francez për 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore, mes të cilëve u panë duke ecur nën çadra të zeza drejt Harkut të Triumfit edhe Presidentët Hashim Thaçi dhe Alekandër Vuçiç. Edhe pse takimi u zhvillua mes përplasjeve të mëtejshme të interesave të Amerikës, Europës dhe Rusisë, Donald Trump, Angela Merkel dhe Vladimir Putin gjetën një pikë të përbashkët: marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Thaçi pati një tjetër takim me Presidentin amerikan, i cili i garantoi edhe njëherë mbështetjen e SHBA-së për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë. Ndërkohë Presidenti Vuçiç u takua me kancelaren Merkel, të cilës iu ankua për tarifat e vendosura nga Kosova. Papritur në “lojë”, ka hyrë edhe Rusia, i cila i ka çuditur shumë nga analistët ndërkombëtarë: Putin i ka thënë Thaçit se do të mbështeste marrëveshjen e arritur mes Serbisë dhe Kosovës. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë kthyer prej kohësh në fushëbetejën e fuqive të mëdha, pasi Rusia ka filluar të përdorë rajonin për ta pozicionuar veten si një superfuqi në arenën ndërkombëtare, ndërkohë që Gjermania dhe SHBA kanë pasur disa herë përplasje në lidhje me interesat e tyre në rajon.

Por pas takimeve në Paris interesat e fuqive botërore për Kosovën duket se janë më të mjegulluara se kurrë. Përse u pozicionua papritur Putin pro marrëveshjes Beograd-Prishtinë dhe çfarë po luhet mes tre super-fuqive?

“Faktori” Trump

Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Thaçi rikonfirmoi edhe njëherë se Presidenti Donald Trump është njëqind për qind dakord mbi nevojën për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë.

Presidentët Donald Trump dhe Hashim Thaçi

Gjatë takimit në ceremoninë përkujtimore të Luftës së Parë Botërore, dy presidentët ranë dakort mbi nevojën për të zgjeruar paqen dhe gamën e marrëveshjeve në Ballkanin Perëndimor. Sipas Thaçit, Trump mbështet një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme midis Beogradit dhe Prishtinës.

"Unë i jam mirënjohës për mbështetjen e tij dhe atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", shkruante Thaçi shkroi në një postim në rrjetin social Facebbok, duke dhënë detaje mbi takimin me shefin e Shtëpisë së Bardhë.

Ky ishte takimi i tretë i dy presidentëve, që pas ardhjes së Trump në pushtet, dy vite më parë. “Kosova është një vend i mrekullueshëm, me një popull të jashtëzakonshëm”, i tha manjati njujorkez presidentit Hashim Thaçi, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti deklaroi gjithashtu para mediave se administrata Trump e çmon shumë miqësinë e përjetshme të qytetarëve të Kosovës me Amerikën, duke treguar se në takimet që ka pasur i është dhënë mbështetje edhe për themelimin e forcave të armatosura të Kosovës, në koordinim të plotë me SHBA-në dhe NATO-n.

Mbështetja e administratës Trump për Kosovën u konfirmua së fundmi edhe nga Ndihmëssekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Wess Mitchell, i cili tha se Prishtina ka të drejtë ta transformojë forcën e saj të brendshme të sigurisë në një ushtri profesionale. Mitchell, i tha gjithashtu Kryeministres së Serbisë Ana Brnabiç në Nju Jork, se Uashingtoni mbështet dialogun Beograd-Prishtinë dhe se do të marrë në konsideratë sugjerimet nga të dyja vendet.

SHBA ka investuar shumë në Ballkan që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Dhjetëra mijëra ushtarë dhe zyrtarë kanë shërbyer në Ballkan dhe Uashingtoni ka shpenzuar miliarda dollarë ndihma, me shpresën e krijimit të një rajoni të sigurt dhe të begatë që një ditë do të jetë pjesë e komunitetit transatlantik. Nën këto kushte, SHBA-ja do të jetë, sipas ekspertëve, ajo që do të ketë fjalën e fundit për atë që do të ndodhë midis Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Angela Merkel 

John Bolton, këshilltari i Presidentit Donald Trump ishte i pari që konfirmoi se SHBA-ja ishte pro një shkëmbimi të mundshëm territorial mes Serbisë dhe Kosovës, si pjesë e një normalizimi të procesit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Edhe pse ky propozim mund të jetë joshës për politikanët europianë dhe amerikanë, ekspertët kanë ngritur alarmin se asgjë në Ballkan nuk është aq e lehtë sa duket. Deri tani, Gjermania dhe Britania, dy vendet evropiane që i kanë kushtuar shumë burime dhe vëmendje Ballkanit, kanë dalë kundër tezave për shkëmbime territorial, por Admistrata Trump duket se është e vendosur për të shtyre Kosovën dhe Serbisë drejt një marrëveshjeje.

"Faktori" Merkel

Takimet në Paris erdhën pak pasi Kosova vendosi taksa për të gjitha mallrat serbe, një vendim që çoi në rritjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve. Pas një takimi të shkurtër dhe të tensionuar në Bruksel, Vuçiçi dhe Thaçi u shfaqën më të distancuar se kurrë. Edhe pse ndodheshin të dy në Paris, as presidenti serb dhe ai i Kosovës nuk u takuan me njëri-tjetrin. Por si Thaçi ashtu edhe Vuçic u takuan me kancelaren gjermane Angela Merkel, një kundërshtaret më të mëdha të ndryshimit të kufijve të Prishtinës.

Përmes një postimi në Tëitter, Thaçi njoftoi se ka biseduar me kancelaren gjermane për arritj“e një marrëveshjes paqësore mes dy vendeve. “Të dy ramë dakort se mbështetja e Gjermanisë është rrënjësore për këtë marrëveshje dhe për anëtarësimin tonë në BE”, thotë Thaçi.

https://twitter.com/HashimThaciRKS/status/1061651532528189445?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1061651532528189445&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.evropaelire.org%2Fa%2F29594593.html

Por ndërkohë që Thaçi takonte shefin e Shtëpisë së Bardhë, edhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u takua me kancelaren gjermane. Ai dhe Merkel folën për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, situatën në rajon dhe sigurisht negociatat Beograd-Prishtinë.

Vuçiç bisedoi me Merkel për lëvizjen e fundit të Kosovës për ngritjen e taksave për produktet nga Serbia dhe Bosnja. Sipas mediave në Beograd, ai ka shprehur mosbesimin e tij në lidhje me Kosovën, duke thënë se nëse Prishtina mund të shkelë marrëveshjet e bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, mund të shkelë edhe marrëveshjet përfundimtare mes dy vendeve.

Ai e pozicioni gjithashtu Serbinë si një nga aleatet më të mëdha të Berlinit në Ballkan, duke e falënderuar kancelaren për rritjen e numrit të investimeve gjermane në Serbi, të cilët tani punësojnë më shumë se 52,000 vetë. Merkel përshëndeti përmirësimet në ekonominë e Serbisë dhe shtoi se dëshironte të ndihmojë rajonin e Ballkanit Perëndimor të ruajë paqen dhe stabilitetin.

SHBA dhe BE-ja kanë ecur gjithnjë krah për krahu në Ballkanin Perëndimor, sidomos pas intervenimit të NATO-s për t’i dhënë fund lufëtrave të viteve 1990 atje. Por Shtëpia e Bardhë doli kundër Merkelit, kur John Bolton mbështeti një ndryshimin potencial të kufijve të Kosovës dhe Serbisë. Kancelarja doli kundër tezës Thaçi-Vuçiç duke thënë se një marrëveshje për shkëmbimin e territoreve do të krijonin një precedent dhe të çonte në negociata të ngjashme në vende të tjera në Ballkan. “Duhet të jemi të kujdesshëm që negociatat mes Kosovës dhe Serbisë të mos çojnë në negociata në vendet e tjera të Ballkanit,” tha ajo. Në një mendje me Merkel duket se është Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili deklaroi disa ditë më parë se “kufijtë në Ballkan janë shkruar me fjalë, por ndryshojnë vetëm me pushkë “.

Presidentë Vladimir Putin dhe Hashim Thaçi 

"Faktori" Putin

Sikur të mos mjaftonin Trump dhe Merkel, në lojë është futur edhe Vladimir Putin. Hashim Thaçi është takuar për herë të parë me Presidentin e Rusisë, kundërshtarin më të ashpër të Kosovës.

Pas postimit të një fotoje me kreun e Kremlinit, Thaçi shkruan se Putin i ka bërë të ditur se nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë.

"Në Paris u takova më presidentin Putin, u fokusuam në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Për këtë temë presidenti Putin ishte i qartë: Nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë”, shkruan Thaçi.

Qëndrimi “paqësor” i Putinit ishte një lëvizje e papritur politike nga ana e Kremlinit, pasi ai është bërë përkrahësi kryesor i Serbisë për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Të dyja vendet kanë përfituar reciprokisht nga bashkëpunimi i tyre, pasi Rusia po provon fuqinë e saj ndërkombëtare nëpërmjet ndikimit të saj në Beograd, ndërkohë që Serbia e përdor Moskën për përfitimet e veta politike. Për Beogradin, miqësia me Rusinë është gjithashtu edhe një karrem për anëtarësimin në BE, duke kërcënuar unionin se të kalojë nën ombrellën politike ruse dhe se do të përhapë ndikimin rus në rajon. Lalë mbështetjes së Rusisë, Serbia siguroi një levë të fuqishme diplomatike në arenën ndërkombëtare. Ndërsa Moska rriti vazhdimisht ndikimin në Ballkan, falë koncesioneve periodike, korruptimit të zyrtarëve vendas dhe lidhjet ekonomike dhe politike me vendet e tjera të rajoni.

Në takimin e fundit midis Vuçiçit dhe Putinit në Moskë, mbështetja e Rusisë do të ishte vendimtare për marrëveshjen që do të arrihej me Prishtinën zyrtare. Edhe pse detajet e takimit nuk u ndanë me publikun mesazhi që Putini donte të jepte nëpërmjet takimit ishte i qartë: Perëndimi duhet të llogarisë me Rusinë, kur bëhet fjalë për zhvillimet e rëndësishme politike në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë