Politike

Covid19, premtimi i Bashës: Testim, gjurmim, izolim. Ruani faturat e kurimit, do i rimbursojmë

Kryetari i PD, Lulzim Basha paraqiti një panoramë të zymte të situatës në vend nga përhapja e Covid-19. Basha fajësoi qeverinë për keqmenaxhim dhe fshehje të së vërtetës gjatë një bashkëbisedimi që ai pati me mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë.

“Arsyeja e këtij takimi për fat të keq është konstatimi i një përkeqësimi të ndjeshëm të krizës të thellë sa i përket COVID-19. Rritja dramatike e shifrave të të infektuarve, numrit të viktimave të raportuara zyrtarisht si dhe gjendja e përgjithshme e shoqërisë e të gjithë afektuarve, familjeve të pacientëve, gjendjes së tyre ekonomike, personelit shëndetësor, mjekëve, infermierëve në tërësi, të gjithë zinxhirit shëndetësor, ka arritur në një pikë që do ta konsideroja më të keqen që nga fillimi i krizës së pandemisë”, tha Basha.

“Nuk ka pikë diskutimi që numri real i të infektuarve është shumë më i lartë sesa ai që raportohet”, vijoi ai, duke nënvizuar se, “viti i kaluar shënoi një numër vdekjesh të shtuara mbi numrin mesatar të vdekjeve natyrore prej më shumë se 6 mijë qytetarësh”.

“Vetёm Shqipёria nuk jep informacione zyrtare nëse ka mutacione qё qarkullojnë apo jo. Tё gjitha vendet fqinje me ne i kanё identifikuar dhe kjo pёr faktin e thjesht sepse tash njё vit zyrtarisht nё konstatim tё pandemish i vetmi prioritet qё ka mbizotëruar me sukses tё plotë kohën por jo realitetin ёshtё propaganda ёshtё fshehja e fakteve siç ndodhi edhe me rastin vdekjeve sepse pёr kёtё qeveri jeta e njerëzve nuk ka vlerë, shëndeti i njerëzve nuk ka vlerë, vlera e vetme ёshtё vlera e propagandës dhe ajo ёshtё produkti i vetёm qё marrim nga mëngjesi deri nё darkё vetёm propaganda”, tha ai.

Sipas tij, janë fshehur faktet me qëllim fshehjen e dështimit nё marrjen e masave.

“Të kesh një qeveri që nuk çan kokën për jetën ë njerëzve, nuk çan kokën për jetën e mjekëve, që e ka sjellë numrin e mjekëve të vdekur në nivele rekord dhe që për numrin e vdekjeve të qytetarëve na rendit të tretët në botë dhe kjo është statistikë zyrtare e shtetit të Edi Ramës, e Institutit të Statistikave të kontrolluara nga ai, qeverisë së Edi Ramës, të tretët në botë për numrin e viktimave”, shtoi ai.

“Propozimi ynë i Shtatorit për rimbursimin e plotë të pacientëve që kurohen në mënyrë ambulatore pra në shtëpi që gjoja u adoptua me vendim të këshillit të ministrave, nuk ka dhënë rezultat. Shumica dërrmuese e shqiptarëve po zhyten në borxh për të kuruar të afërmit e tyre në kushtet ku spitalet janë mbushur plot dhe prandaj Tirana është shndërruar në vetvete në një spital të madh... Sistemi i rimbursimeve që në konceptim nuk kishte të bënte fare me atë që propozuam ne. Është i cunguar, është i pa mjaftueshëm në letër ndërsa në efekt të gjithë e dinë që nuk po funksionon”, vijoi Basha.

Po cfarë do bëjë LulzIm Basha nëse fiton zgjedhjet?

“Testimet, të parat. Pse testimet të parat ? Se ato do na tregonin. Dhe prapë në qoftë se do të bëheshin të paktën në nivelet e vendeve kufitare do na tregojnë ku është infeksioni dhe pastaj do ta gjurmonim dhe do ta izolonim dhe në qoftë se , fjala bie, Berati, ku ka shkuar për cirkun e radhës rezulton se është më problematiku, do merrja masa, masa më të shtrënguara për Beratin. Në qoftë se X apo Y industri rezulton më problematikja do ta mbyllja. Padiskutim që do të rimbursoja punonjësit për humbjet. Pra, në bazë të informacionit që merret përmes testim, gjurmim, izolimi do të kryhej në mënyrë të tillë që jo e gjithë Shqipëria të kthehej siç e ka kthyer në një spital gjigand...Testim, gjurmim, izolim. Izolim smart, degët e industrisë që e përhapin më shumë, zonat gjeografike ku është përhapur më shumë. E gjitha kjo do të ndihmojë që ashtu siç u përhap, ashtu të izolohet e të përmbyllet cikli i infektimit”.

“Si kundër dua t’ju kërkoj për të gjithë ata që kanë mundësi financiare të bëjnë gjithçka për të zbatuar protokollet shëndetësorë të rekomanduara dhe të ruajnë të gjitha faturat sepse qeveria e ardhshme do të bëjë gjithçka, absolutisht gjithçka që borxhi në të cilin ju ka zhytur papërgjegjshmëria e qeverisë së Edi Ramës mos të jetë një gurë në qafën tuaj por të mundohemi tu lehtësojmë sa më shumë dhe për këtë po punojmë për një skemë të cilët të jemi në gjendje ta vëmë në veprim pas 25 prillit”, premtoi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë