Bota

Covid/ Irlanda heq kufizimet, shtetrrethimin dhe rihap klubet e natës pas 22 muajsh

“Pranvera po vjen”! Me këto fjalë kryeministri Micheál Martin shpalli fundin e izolimit në Irlandë, një nga vendet që ka jetuar me masat më të rënda në Evropë nga Covid 19.

Paraditen e djeshme përfundoi shtetrrethimi për lokalet dhe restorantet, të cilat deri të premten ishin të detyruar të mbylleshin në orën 20:00, si dhe u hoq kufiri i qëndrimit prej gjashtë personash në shtëpi private. Distanca e sigurisë u eliminua dhe klubet e natës mundën të rihapen.

Nga e hëna, qytetarët do të mund të kthehen personalisht në punë, edhe pse qeveria kërkon kthimin me faza. "Qeniet njerëzore janë socialë dhe ne irlandezët, jemi më të shoqërueshëm se të tjerët", nënvizoi Taoiseach (kryeministri), duke kujtuar se gjatë pandemisë ka pasur "momente të mira".

"Unë e kuptoj dhimbjen që ndjejnë ata që kanë humbur të dashurit. Sakrifica juaj kolektive ka shpëtuar mijëra jetë”. Në total, 1.1 milion raste nga rreth 5 milionë banorë dhe 6,083 vdekje janë regjistruar në Irlandë.

Ndërsa frika e variantit “Omicron” rikthehet, ishulli po ndihet ndryshe, më optimist pas 22 muajsh në të cilët, ndryshe nga shumë vende, qytetarët kanë vazhduar të respektojnë masat e kontrollit të virusit, vetëm pjesërisht të relaksuar midis tetorit dhe dhjetorit të kaluar.

Prej ditës së djeshme, leja e gjelbër nuk nevojitet përveç udhëtimeve ndërkombëtare, ndërsa maska ​​do të mbahet gjithmonë në mjetet e transportit, në ndërtesa publike, dyqane, kinema, teatro, muzeume dhe në vendet ku shërbehen pije dhe ushqime.

Nëse “nuk mund të përjashtohet një rritje e rasteve” dhe “pandemia nuk ka mbaruar”, dje turmat u kthyen në rrugët e Dublinit, me pub-et dhe restorantet tashmë plot që në mesditë.

Për Daniel Smith, nga “Grogans Pub”, në një vështrim nga kalaja dhe Katedralja e Shën Patrikut, "atmosfera është pothuajse surreale".

Në Cork, qyteti i dytë më i madh në Irlandë, njerëzit filluan të lëvizin sërish. Për Noreen Gallagher, nga “Moody Café Vin Bar”, "rihapja është një lehtësim".

“Kemi pasur frikë nga më e keqja”, saktësoi ai, duke kujtuar se i gjithë sektori i hotelerisë është i rraskapitur. "Do të duhet kohë për të rizbuluar normalitetin".

Lokali u inagurua në dhjetor 2020: pas tetë ditësh kishte mbyllur dyert për shkak të masave kundër Covid. “Ne i dhamë të gjitha ushqimet që blemë. Do të duhet ta rindërtojmë ngadalë biznesin”. Ka nga ata që kanë disa dyshime për shpejtësinë me të cilën janë hequr pothuajse të gjitha kufizimet.

Rreth 10,000 raste të reja pozitive u regjistruan dje. Maggie Rowe, e lindur në SHBA dhe që jeton në Galway, theksoi se, sado e lehtësuar që është në gjendje të dalë përsëri lirisht, asaj i duket "e çuditshme të kalojë nga një ditë në tjetrën nga kufizimet mjaft të rënda në gjysmë normalitet”.

“Shpresoj, - shtoi ajo, - se nuk është shumë shpejt dhe që situata të mos përkeqësohet”. Për momentin, megjithatë, siç tha kryeministri Martin, për irlandezët "është koha të fillojmë të qeshim dhe të këndojmë përsëri, është koha të bëhemi përsëri vetvetja".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë