Politike

Covid-19, Vokshi: Mbi 320 mësues të prekur, “Emin Duraku” më rëndë, reagon MASR

Ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi ishte sot para shkollës “Emin Duraku” për të deklaruar se situata në arsim si pasojë e Covid-19 është rënduar.

“Situata është krejt jashtë kontrollit dhe qeveria duket se e ka lënë atë në rënie të lirë dhe nuk po merr asnjë masë. Shkollat në 90% të tyre janë pa kushtet minimale higjieno sanitare, janë pa ujë të rrjedhshëm, janë pa sapun, mësuesit janë të lodhur, janë të rraskapitur, janë të keqtrajtuar, janë të shfrytëzuar me dhjetëra orë  të papaguar në javë, pavarësisht se ato sikurse edhe mjekët janë në vijën e parë të betejës me virusin Covid-19 duke rrezikuar çdo orë mësimore shëndetin dhe jetën e tyre.

Unë jam sot para shkollës “Emin Duraku”, njërës prej shkollave që është shndërruar në një vatër të rrezikshme  të pandemisë Covid-19. Nga informacionet që kemi marrë rezulton që janë 8 mësues kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe 20 mësues të karantinuar.

 Por çfarë ka ndodhur?

 Asnjë njoftim i bërë nga drejtoria e shkollës për prindërit e nxënësve, në mënyrë që prindërit vetë, përtej masave që merr shkolla, përtej masave që merr qeveria, të mund të marrë masat e duhura për të siguruar mirëqenien dhe shëndetin e fëmijëve të tyre”, tha Vokshi.

Sipas saj, zëvendësimi i mësuesve të karantinuar apo mësuesve që kanë rezultuar pozitivë me mësues në dispozicion, nuk është zgjidhje.

 “Kjo jo vetëm se ka çorientuar dhe ka sjellë amulli në programin mësimor të nxënësve të kësaj shkolle, me orë të tepërta shtesë të panevojshme, por nuk është bërë asnjë tamponim, nuk është marrë asnjë masë për tamponimin e nxënësve të klasave ku kanë rezultuar mësues pozitivë dhe gjithashtu asnjë prind nuk është kontaktuar nga institucionet përkatëse, nga ISHP-ja, mjeku i familjes.

 Kështu nuk dihet ku janë vatrat e përhapura të Covid 19 ndër nxënës apo tek familjet dhe tek prindërit e tyre.

 Në këtë mënyrë nuk mund të izolohen rastet dhe nuk mund të ndërpritet zinxhiri i infeksionit. Virusi është përhapur kudo”, tha ajo.

Vetëm javën e fundit, nga informacionet që vijnë në PD, sipas Vokshit, rezultojnë mbi 320 mësues dhe nxënës të infektuar me Covid 19, të izoluar dhe të karantinuar.

 “Sigurisht ky numër është shumë herë më i madh, por drejtorët militantë duke zbatuar urdhrin për kodin e heshtjes, nuk bëjnë publike rastet dhe nuk informojnë jo vetëm mësuesit por edhe prindërit e nxënësve që mësojnë në shkollat e tyre”, tha ajo.

Por cila është zgjidhja sipas PD?  

“Kërkojmë që të bëhen testime masive për çdo mësues në çdo shkollë të Shqipërisë.

Së dyti të krijohen kusht higjieno – sanitare në çdo shkollë, të ketë ujë të rrjedhshëm, të ketë sapun, të ketë dezinfektantë, të bëhet dezinfektimi i përshtatshëm i ambienteve midis orëve të mësimit.

 Ato shkolla që nuk plotësojnë kushtet minimale higjieno – sanitare, apo nuk respektojnë protokollin e sigurisë, duhet të mbyllen dhe të sigurojë ambiente të tjera për kushte të sigurta për mësimdhënie për fëmijët dhe mësuesit.

 Të sigurohen maska falas dhe dezinfektant për mësues dhe nxënës”.

Reagon MASR

Ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

"Në lidhje me shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet, dëshirojmë t’ju informojmë se mësimi në këtë shkollë po vijon normalisht.

Për shkak se disa mësues kanë rezultuar me COVID-19 dhe disa të tjerë janë karantinuar, nga ana e DPAP dhe zyrës arsimore vendore Tiranë janë marrë masat e menjëhershme për zëvendësimin e tyre në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje. Njëkohësisht, është shtuar edhe numri i psikologëve për të qenë sa më pranë nxënësve e mësuesve me shërbimin psiko-social.

Ndërkohë, procesi i dezinfektimit në këtë shkollë është kryer 3 herë gjatë gjithë javës së shkuar, teksa dezinfektimi më i fundit është realizuar ditën e djeshme.

Duam të sigurojmë prindërit e të gjithë opinionin publik se ne po punojmë intensivisht që jo vetëm në këtë shkollë por në të gjithë vendin, ambientet e shkollave tona të jenë të sigurta, me higjienizim të vazhdueshëm, me masa që respektohen e me nivel të lartë ndërgjegjësimi nga ana e nxënësve, mësuesve dhe gjithë stafit të shkollave", thuhet ne reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë