Komunitet

Covid-19/ Situata në QSUT, Prof.Dr.Dibra: Masat që merren, siguria e pacientit prioriteti ynë

Ka një diskutim të vazhdueshëm në opinionin publik se në rritjen e numrit rasteve të personave të infektuar me COVID-19, mund të ketë ndikuar situata e shkujdesur në shërbimet e QSUT.

Nuk ka të dhëna zyrtare, por disa copëza informacioni nga ISHP-ja apo edhe pacientë të infektuar janë interpretuar në mënyrë të tillë që implikojnë QSUT si burim të përhapjes së COVID-19 në disa raste.

Për të kuptuar më shumë mbi problematikën e lartpërmendur dhe se çfarë po ndodh realisht në QSUT, Gazeta “Si” ka kontaktuar Shefin e Shërbimit të Kardiologjisë II/Reanimacionit të Kardiologjisë të QSUT, Prof. Dr. Alban Dibra.

Në një intervistë për gazetën “Si”, Dibra nënvizon qysh në krye të herës se, identifikimi i personelit mjekësor me burimin kryesor të përhapjes së COVID-19 në QSUT, është i pabazuar dhe i gabuar.

Përpos zbatimit të rregullave të distancimit social, Dibra vëren ndër radhë se duhet një analizë më e thelluar nga specialistët për të kuptuar dinamikën e infeksionit prej COVID-19 në QSUT apo edhe qëndra të tjera spitalore.

Pa dyshim që testimi sistematik, sipas tij, i të gjithë pacientëve që shtrohen në spital bashkë me një strategji të testimit intensiv të personelit mjekësor, do të kontribuonte në reduktimin e mëtejshëm të shkallës së përhapjes së COVID-19 në QSUT apo të tjera struktura spitalore në vend.

Dr. Dibra fokusohet tek situata në Shërbimin e Kardiologjisë II/Reanimiacionin e Kardiologjisë, duke shpjeguar se çfarë po ndodh në këtë shërbim, a janë rritur apo ulur numri i pacientëve të shtruar si pasojë e pandemisë, a është konstatuar ndonjë pacient i trajtuar më parë apo që është aktualisht i shtruar në Shërbimin e Kardiologjisë i diagnostikuar me COVID-19, a ka pasur personel mjekësor të infektuar në këtë shërbim, nëse po, çfarë masash janë marrë?

A janë aplikuar me rigorozitet masat e rekomanduara që në fillim?

A ka personel mjekësor të infektuar që vijon punën edhe pse asimptomatik?

A ka ndryshuar protokolli i vizitave dhe sa mirëkuptim ka gjetur nga ana e pacientëve dhe familjarëve të tyre?

Në fund të fundit, a duhet t’i drejtohemi të sigurt QSUT për shërbimet që na voliten?

Për të gjitha sa më sipër, Dr Dibra jep përgjigje shteruese në një intervistë për Gazetën ”Si” duke pranuar fillim e mbarim vetëdijen e gjithkujt se askush nuk është perfekt. As në këtë pandemi.

Dr. Dibra, ishin bluzat e bardha apo pacientët dhe të afërmit e tyre burimi kryesor i përhapjes së Covid-19 në QSUT? A keni krijuar ju një ide për këtë diskutim?

Një strukturë spitalore me përmasat, numrin e pacientëve të vlerësuar e trajtuar në kushte ambulatore apo brenda-spitalore dhe spektrin e shërbimeve të Qendrës Spitalore Universitare, Tiranë (QSUT), është e ekspozuar në një shkallë më të madhe ndaj infektimit prej COVID-19 krahasuar me strukturat e tjera të kujdesit shëndetësor në vend.

Ky ekspozim u bë edhe më evident e i pashmangshëm në momentin e heqjes së kufizimeve të lëvizjes dhe kthimin drejt niveleve të zakonshme të numrit të vizitave dhe shtrimeve në QSUT.

Edhe pse QSUT, në kuadrin e shumicës së shërbimeve u përcaktua si strukturë jo-COVID-19, nuk është e mundur shmangia në 100% të rasteve e hospitalizimit të pacientëve të infektuar prej këtij virusi në QSUT:  rrethanat shëndetësore emergjente në disa pacientë apo manifestimi josimptomatik i sëmundjes në disa të tjerë, nuk e mundësojnë.

Nga ana tjetër, personeli mjekësor, për shkak të detyrimit që ka lidhur me dhënien e shërbimit ndaj pacientëve, jo vetëm që nuk mund të jetë më i mbrojtur prej virusit, por është edhe më i rrezikuar se profesionistët e tjerë.

Fakti është që, në vende si Spanja e Britania e Madhe, në periudha të caktuara të pandemisë 13-16% e të infektuarve ishin pjesëtarë të personelit mjekësor.

Problematikat e evidentuara dhe eksperiencat e fituara në strukturat spitalore të këtyre vendeve sa i takon efikasitetit të protokolleve dhe mjeteve të mbrojtjes, strategjive të testimit të dyshuarve apo prekurve nga COVID-19 si në radhët e pacientëve ashtu edhe të personelit mjekësor, njohja e diferencave kulturore dhe sociale, veçorive të lidhjeve familjare në shoqërinë tonë, veçmas në raport me rregullat e distancimit social, mendoj se duhen analizuar nga specialistët për të kuptuar dinamikën e infeksionit prej COVID-19 në QSUT apo në qendra të tjera spitalore në vend.

Edhe pse kalimi i infeksionit nga personeli mjekësor tek pacienti është një mundësi e raportuar edhe në vende të tjera, identifikimi i personelit mjekësor me burimin kryesor të përhapjes së COVID-19 në QSUT, është i pabazuar dhe i gabuar.

Pa dyshim, që testimi sistematik i të gjithë pacientëve që shtrohen në spital së bashku me një strategji të testimit intesiv të personelit mjekësor do të kontribuonte në reduktimin e mëtejshëm të shkallës së përhapjes së COVID-19 në QSUT apo të tjera struktura spitalore në vend.

A po vijojnë njerëzit që t’i drejtohen QSUT për shërbimet? A ka ndonjë ndryshim të numrit të të shtruarve apo shërbimeve të tjera që kanë nevojë të marrin krahasuar me një periudhë të mëparshme? 

Gjate fazës së kufizimit të lëvizjeve, u vu re një reduktim i numrit të pacientëve të shtruar në Shërbimin e Kardiologjisë II/Reanimiacionin e Kardiologjisë.

Ky reduktim, interesoi kryesisht pacientët me sëmundje kardiake të qëndrueshme dhe më pak, pacientët me sëmundje kardiake që kishin nevojë për trajtim urgjent.

Me përfundimin e fazës së lartpërmendur, është konstatuar rritja e vazhdueshme e numrit të pacientëve të shtruar në Shërbimin tonë, duke iu afruar numrave të pacientëve të shtruar për të njëjtën periudhë të viteve të kaluara. Kjo evidentohet më qartë në repartin e Reanimacionit të Kardiologjisë ku, aktualisht, po trajtohet një numër pacientësh i cili është i krahasueshem me numrin e pacientëve të trajtuar në sezonin e ngjashëm të 5 viteve të fundit.

Qytetare ne radhe ne Pavionin Kardiovaskular prane Qendres Spitalore Universitare Nene Tereza, QSUT, ne Tirane.

A po funksionon gjithë hallka paraprake anti-COVID në QSUT? Nëse jo, ku shkëputet zinxhiri, në cilin proces, a fillon problematika që tek dera e spitalit?

Për sa i takon Shërbimit të Kardiologjisë II/Reanimacionit të Kardiologjisë, pacientët e dyshuar për infeksion me COVID-19 i janë nënshtruar procesit të vlerësimit dhe diagnostikimit sipas udhëzimeve ekzistuese. Kohët e fundit është rritur ndjeshëm numri i testimeve të realizuara tek pacientët e dyshuar.

Deri në këtë moment, asnjë pacient i trajtuar më parë apo që është aktualisht i shtruar në Shërbimin tonë nuk është diagnostikuar me COVID-19. Sa i takon personelit mjekësor, vetëm një pjesëtar i këtij personeli prej disa dhjetëra individësh është diagnostikuar me COVID-19.

Ky pjesëtar u karantinua menjëherë pas daljes së rezultatit të testit.

Në testimet molekulare dhe serologjike që pasuan për të gjithë personelin e Shërbimit të Kardiologjisë II/Reanimacionin e Kardiologjisë nuk u konstatuan individë të infektuar me COVID-19. Kjo mundësoi vijimin e aktivitetit normal në një nga Shërbimet më të rëndësishme të QSUT.

Përpara se të shkojmë tek individi, (që varet shumë nga ndërgjegjja e këtij të fundit) sa të përgjegjshëm janë vetë bluzat e bardha në gjithë këtë proces?

E bëj këtë pyetje pasi ka pasur kritika edhe publike për neglizhencë të masave nga ana e tyre madje edhe nga vetë Shefja e Shërbimit Infektivit në ISHP Silva Bino…

Personeli mjekësor, në përgjithësi, është pjesa më e përgjegjshme në shoqërinë tonë sa i takon njohjes së problematikave që lidhen me infeksionin prej COVID-19. Personeli mjekësor i QSUT, në veçanti, është pjesë e elitës së personelit mjekësor në vend. Niveli më i lartë i ekspertizës profesionale të këtij personeli shkon paralelisht me një përgjegjshmëri më të madhe sa i takon njohjes së rrezikut të infektimit nga COVID-19 dhe nevojës së marrjes së masave të nevojshme për minimizimin apo parandalimin e këtij rreziku.

Në Shërbimin tonë masat e rekomanduara janë aplikuar që në fillim dhe me rigorozitet. Ne nuk kemi pasur raste të personelit mjekësor të diagnostikuar me COVID-19, me ose pa simptoma, që të kenë vijuar punën. Rastet që janë dyshuar si të infektuar me COVID-19 janë shkëputur nga puna dhe kanë rifilluar aktivitetin profesional vetëm pasi janë testuar dhe lejuar nga autoritetet përkatëse.

Pa dyshim që kjo është një situatë që kërkon angazhim dhe disiplinë të vazhdueshme. Dhe jemi të vetëdijshëm që jo të gjithë kanë të njëjtën qëndrueshmëri. Askush nuk është perfekt.

Qytetare ne radhe ne urgjencen e pergjitshme prane Qendres Spitalore Universitare Nene Tereza, QSUT, ne Tirane. Gazeta "Si"

Nisur nga situata e krijuar, a ka ndryshuar rutina e vizitave të të afërmve të pacientëve në spitale, a ka ndonjë kontroll bazik  ndaj tyre që kur futen në derën e spitalit?

A ka ndryshuar protokolli i vizitave, a janë rralluar, apo janë shtuar vizitorët, a ka ndonjë kriter se kush duhet t’i vizitojë pacientët, sa prej tyre, (apo kushdo nga fisi)? Apo gjithçka vijon si përpara pandemisë?

Siguria e pacienteve dhe e personelit mjekësor është prioritet. Duke pasur parasysh këtë prioritet, prej fillimit të pandemisë është duke u ndjekur një praktikë që konsiston në ndalimin thuajse total të vizitorëve në hapësirat e Shërbimit të Kardiologjisë II/Reanimacionin e Kardiologjisë; kjo është pjesë e strategjisë së QSUT për minimizimin e rrezikut të përhapjes së infeksionit prej COVID-19.

Përjashtim bëhet vetëm në rrethana tepër, tepër të veçanta. Kjo praktikë, e cila po ndiqet me konsekuencë, ka filluar të gjejë mirëkuptim nga ana e pacientëve dhe familjarëve të tyre, edhe pse ende jo në nivelin e dëshiruar.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë