Politike

Covid-19, Lleshaj: Situata serioze, mbyllja në shtëpi do ishte fatale

Në disa takime që po zhvillon në qarkun e Dibrës, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, është fokusuar tek debati i ditës që lidhet me numrin në rritje të personave të infektuar me Covid-19, situatën e kanabisit në vend dhe mbrojtjen e territorit.

“Megjithëse duket pa vend të flasim për pandeminë në një vend ku nuk ka raste të infektimit, është e rëndësishme të flitet për këtë. Sepse hapja tashmë e qarkullimit rrugor, lëvizja nga një qytet në tjetrin e rrit në mënyrë të ndjeshme riskun e përhapjes. Dhe, siç po shohim, ka tendencë zhvillimi jo të pëlqyeshme, sa i përket përhapjes së virusit në vend. Nuk ka kaluar dhe ndaj duhet kujdes. Se kur kalohet nuk dihet!

Duhet bashkëpunim me organet e shëndetësisë, me organet e Policisë, me të tjerët, që kanë mbajtur barrë të jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe…

Duhet të respektojmë të paktën ato minimume që janë kërkuar.

Ju them që gjendja është serioze. Nuk po them të mbyllemi sërish nëpër shtëpi, se do ishte fatale.

Por them që të respektojmë ato minimume, në mënyrë që të parandalojmë një rikthim dhe një riizolim që do të ishte mjaft më i rëndë sesa i pari”, tha Lleshaj.

Një tjetër shqetësim, sipas tij, lidhet me situatën e kanabisit në vend.

“Kemi shqetësim, në Dibër më pak, por ende mbetet shqetësim kanabisi. Është detyrë dhe përgjegjësi e të gjitha organeve vendore, degëve rajonale të pushtetit qendror, dhe e të gjithë të tjerëve për t’u angazhuar në një fushatë të madhe lufte kundër kanabisit. Jo kundër bimës në vetvete, por kundër përdorimit të saj, kundër trafikimit…

Ne kemi një plan kombëtar kundër kanabisit. Luftën ndaj fenomenit nuk ia kemi lënë barrë ekskluzive Policisë së Shtetit, që do të thotë të gjithë institucionet e këtij vendi janë të detyruara të bëjnë pjesën e tyre…

Gjej rastin t’u bëj thirrje publike gjithë administratorëve, kryepleqve, kryetarëve të njësive administrative, punonjësve të policisë dhe drejtuesve të saj që të angazhohen shumë në këto pak ditë që kanë mbetur deri në fund të këtij muaji, pasi përgjegjësia nuk do të jetë vetëm e atyre që kanë kultivuar, por edhe atyre që i kanë lejuar, me dashje apo pa dashje”, njoftoi ai.

Për mbrojtjen e territorit, Lleshaj tha se do të ketë një aksion të vazhdueshëm nga strukturat e shtetit.

“Nuk mund të vijohet më me asnjë cm2 hezitim apo lëshim në territor, sepse territori nuk është i yni. Ne jemi veç përdorues të përkohshëm të tij.

Kushdo që sot merr vendimin e guximshëm për të prekur e dëmtuar territorin, duhet të llogarisë që rreziku me të cilin përballet është shumë herë më i madh se dje. Për çdo ndërhyrje policia fillon menjëherë një proces të ndjekjes penale dhe paralel me policinë, do të jetë IKMT, e cila ndjek rrugën administrative me gjoba të rënda.

Për çdo punonjës policie mbetet tashmë detyra që të shohë jo vetëm krimin tradicional, por të shohë në radhë të parë edhe krimin mjedisor, i cili nganjëherë, ndonëse nuk e perceptojmë si të tillë, bën më shumë dëm sesa krimi tjetër. Janë shumë trajta të krimit mjedisor që bëjnë me shumë dëm sesa disa figura të tjera të krimit”, tha ai.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë