Rend dhe Ligj

Covid-19 shtyn gjyqet ndaj Bashës, Llallës dhe Tahirit

Shtyhen gjyqet ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe ish-ministrit Saimir Tahiri.

Lideri demokrat duhet të ishte sot në gjyq ne Apel, pasi akuzohet nga Prokuroria për falsifikim dokumentesh për lobimin rus në PD, por seanca është shtyrë më 27 prill.

Kjo seancë është shtyrë për shkak se mungonte një anëtar i trupës gjykuese dhe një prokuror.

Ndërsa për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla është shtyrë me një muaj seanca paraprake. Seanca ishte parashikuar më 7 prill, por nuk u zhvillua. Ish-prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla akuzohet për fshehje të pasurisë.

Adriatik Llalla është marrë i pandehur dhe i është njoftuar akuza për kryerjen e veprës penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Gjykata e Posaçme Apelit ka shtyrë edhe gjyqin për ish-ministrin Tahiri për në datën 28 prill.

Mësohet se shkak i shtyrjes ka qenë fakti se avokatët dhe të pandehurit nuk kanë qenë të pranishëm. Seanca do të jetë edhe për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana tjetër kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Si përfundim të dyja palët, si Tahiri dhe Prokuroria nuk pranuan dënimin me 3.4 vite shërbim prove dhe e apeluan zyrtarisht në Gjykatën e Posaçme të Apelit që që nga java tjetër do të fillojë me gjykimin e dosjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë