Para

Covid-19 rrezikon paratë nga emigrantët, thellohet varfëria

Shqiptarët emigrantë kanë dërguar para në familejt e tyre dhe gjatë pandemisë, por kriza që pason koronavirusin do të tkurrë dërgesat në 27%

Nga Sabina Veizaj - Një kolegia ime nga Presheva në kohën e studimeve në Tiranë, katër vitet në kryeqytetin shqiptar i kreu me dërgesat e xhaxhit të saj nga Zvicra.

“Ne jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Ai është gati të kursejë diçka nga vetja që të më dërgojë mua kuotën mujore të qirasë së shtëpisë, të ushqimit, pagesën e shkollës dhe gjithçka më duhet për t’u ndjerë mirë larg familjes. Për të shkolla ime është shumë e rëndësishme”- mbaj mend të më thoshte Flora në fillim të viteve 2000.

Emigrantët duke patur një lidhje të fort emocionale me vendin dhe familjet e tyre, janë të prirur që edhe në vështirësi të mos i ndalojnë dërgesat në familjet e origjinës sepse e dinë sa të rëndësishme janë ato para.

Sipas Bankës së Shqipërisë, remitancat janë burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare. Dërgesat nga jashtë përbëjnë 90% të të ardhurave familjare të marrësve.

Në vend, dërgesat e parave të emigrantëve janë përdorur kryesisht si mjet konsumi dhe mbijetese ekonomike.

Në vitin 2016, Grupi i Bankës Botërore në kuadër të Programit të Remitancave dhe Pagesave, financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), kreu Vrojtimin Bazë mbi sjelljet financiare të përfituesve të remitancave në gjashtë vende të Europës Lindore dhe Azisë Qendrore (ECA), përkatësisht: Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Taxhikistan dhe Kirgistan. Objektivi kryesor i këtij vrojtimi ishte të kuptohej sjellja e pritësve të remitancave në vendet e përzgjedhura dhe niveli i plotësimit të kërkesave të tyre nga produktet dhe shërbimet ekzistuese të remitancave.

Sipas Studimit Bazë, 86% e familjeve të intervistuara në Shqipëri kanë përfituar dërgesa nga një person, i moshës 30-44 vjeç, i cili është në emigrim të përhershëm, dy ose tre herë në vit, për më shumë se 1 dekadë.

Shuma mesatare e marrë gjatë një viti është ekuivalente me 2,350 USD ose 499 USD për transaksion, që është shuma e dytë më e lartë në rajon pas Kosovës. Shumica e flukseve të remitancave vijnë nga Greqia dhe Italia (më shumë se 60%).

Remitancat përfaqësojnë një të tretën e buxhetit vjetor të një familjeje në Shqipëri. Më shumë se 30% e familjeve të intervistuara i përfitojnë rregullisht remitancat, ndërsa 40% sigurojnë mbështetje financiare nga të afërmit e tyre jashtë vendit në raste të veçanta.

Remitancat përdoren kryesisht për mallrat e konsumit të shpejtë dhe për produktet e shëndetit dhe higjienës (të zgjedhur nga 67% e familjeve të intervistuara), për shpenzimet shëndetësore (52%) dhe për qëllime arsimimi (32%).

Edhe në muajt e izolimit, teksa e gjithë bota u gjunjëzua nga pandemia ku miliona njerëz mbetën të papunë apo iu shkurtuan orët e puëns dhe si rrjedhim pagat, shqiptarët emigrantë nuk mundën të mos dërgonin para në familjet e tyre në vështirësi.

Në tre muajt e parë të 2020-s sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, emigrantët që jetojnë dhe  punojnë jashtë vendit sollën në Shqipëri 152 milionë euro ose 1% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Prej të paktën 5 vitesh, tendenca e remitancave i ishte rikthyer rritjes, e lidhur kjo me rigjallërimin e ciklit të emigracionit në Shqipëri, ku të ikurit rishtazi në të gjitha format e emigrimit kanë lidhje të forta me vendin mëmë dhe pasi stabilizohen me punë, kanë tendencën t’u dërgojnë para të afërmeve të tyre.

Sipas të dhënave, 10 ditëshin e fundit të muajit mars, krijimi i një situate kaotike dhe paniku në vendet fqinje dhe mbyllja e menjëhershme e vendeve të punës, sidomos në Itali pati efekt tek paratë që dërgoheshin në Shqipëri. Kjo tendencë ishte më e dukshme kryesisht nga Italia dhe Greqia, që janë dhe dy shtetet kryesore nga vijnë remitancat.

Situata u paraqit e njëjtë dhe në muajin në vijim, por nga fundi i prillit me rikthimin e lehtësive me vendet e Perëndimit filloi normalizimi i remitancave, ndërsa maji është rikthyer në vlera pozitive.

Por sot, në ditën Ndërkombëtare të Remitancave Familjare (ditë e shpallur pesë vite më parë nga Kombet e Bashkuara), ka një shqetësim të madh mes institucioneve për ndikimin e Pandemisë në këto të ardhura, të cilat prekin kategoritë më vulnerabël të shoqërisë, të pamundurit, ata që hanë bukë me këto prurje dhe si rrjedhojë këto kategori në të gjithë botën mund të zhyten në varfëri ose të thellojnë varfërinë.

BB: Remitancat në Shqipëri pritet të bien me 27,5 %.

Parashikim që bën Banka Botërore është si pasojë e ndikimit  të Covid-19 në ekonominë botërore.

“Remitancat janë një burim jetësor i të ardhurave për vendet në zhvillim. Recesioni i vazhdueshëm ekonomik i shkaktuar nga Covid-19 po ndikon në një vështirësi të madhe tek aftësia për të dërguar para në shtëpi dhe e bën atë më shumë thelbësore që ne të shkurtojmë kohën për rikuperimin për ekonomitë e përparuara" tha Presidenti i Grupit të Bankës Botërore David Malpass. “Remitancat ndihmojnë familjet të përballojnë ushqim, kujdes shëndetësor dhe nevoja themelore. Ndërsa Grupi i Bankës Botërore zbaton veprim të shpejtë, të gjerë për të mbështetur vendet, ne po punojmë për të mbajtur të hapur kanalet e remitancave dhe për të mbrojtur qasjen e komuniteteve më të varfra në këto nevoja më themelore"- citon BB në raportin më të fundit për ndikimin e Covid-19 tek dërgesat e emigrantëve në familjet e origjinës.

Sipas BB-së, Shqipëria mbetet një nga ekonomitë ku niveli i varfërisë në skenarin më optimist mund të arrijë në 40% të popullsisë, ndërsa në nivelin më pesimist në 44% të saj.

Si kanë përvijuar remitancat ndër vite në Shqipëri?

Sipas një dokumenti të INSTAT, remitancat vazhduan të rriteshin nga viti 1991 deri në vitin 2007, kur ato arritën nivelin e tyre maksimal. Në vitin 2007, në Shqipëri vlera e remitancave ishte 952 milionë euro, duke qenë vendi me varësinë më të madhe ndaj dërgesave në para në rajon, me më shumë se 300 euro për banor. Pas këtij viti, remitancat ranë duke arritur pikën e tyre më të ulët në vitin 2013 më shifrën nën 500 milion euro, rënie kjo e cila shkaktoi rritje të varfërisë. Dërgesat në para filluan të pësojnë rritje sërish në vitin 2014 duke arritur shifrën 592 milion euro dhe në vitin 2016 shifrën 616 milion euro.

Në dokument theksohet varësia e ekonomisë shqiptare tek remitancat, që janë rreth 9-15 për qind e PBB-së së vendit dhe rreth 15% e të ardhurave të familjeve shqiptare. Kjo është arsyeja së pse Shqipëria renditet në listën e vendeve me varësi të lartë tek remitancat, siç njihen ndryshe dërgesat në para. Qeveria e ndan në tre shkallë, nivelin e pagesave të emingrantëvë: në rritjen e tyre nga viti 1991 deri në vitin 2007; rënien në periudhën 2008-2013; dhe 3. ripërtëritjen që prej vitit 2014.

Prej vitit 2007, kur dërgesat arritën nivelin më të lartë, 952 milionë euro, dhe deri në vitin 2013 dërgesat erdhën në rënie, duke arritur në pikën më të ulët 544 milionë euro. Gjatë vitit 2014 ndodhi një rritje e lehtë në 592 milionë euro. Ndërsa në raportin e Bankës së Shqipërisë publikuar në vitin 2016 thuhet se flukset hyrëse të remitancave vazhduan rënien në terma vjetorë për të tretin tremujor radhazi duke u pakësuar me 10 për qind. Prej të paktën 5 vitesh, tendenca e remitancave i ishte rikthyer rritjes.

Covid-19 ka tkurrur dërgesat e emigrantëve për familjet e tyre në botë

Pesë vite më parë, Kombet e Bashkuara shpallën 16 qershorin Ditën Ndërkombëtare të Remitancave Familjare. Që atëherë paratë e dërguara në shtëpi nga punëtorët emigrantë janë bërë shumë të rëndësishme. Në vitin 2019, remitencat arritën 554 mld $, duke mposhtur të gjitha format e tjera të flukseve financiare ndërkufitare në vendet e varfra. Rreth 200 milion punëtorë në të gjithë botën ndihmojnë katër herë më shumë të afërm që plotësojnë nevojat themelore, krijojnë biznese ose paguajnë tarifa shkollore. Këto prurje, mesatarisht, përbëjnë 60% të të ardhurave familjare të marrësve; në tetë vendet më të mëdha pritëse, ato janë burimi i vetëm i parave cash për rreth një të pestën e familjeve.

Këtë vit, më 16 qershor, një task forcë e udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe organe të tjera shumëpalëshe publikuan një raport për të vlerësuar ndikimin e Covid-19 në dërgesat e emigrantëve. Pandemia ka marrë një goditje të rëndë në rrjedhën e parave. Banka Botërore vlerëson se dërgesat totale të vendeve në zhvillim mund të bien me një rekord prek 20% këtë vit, në 445 mld dollarë.

Në El Salvador dhe Nepal, ku remitancat zakonisht kapin më shumë se një e pesta e PBB-së, flukset ranë me 40% dhe 51% në prill, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë - një ngushëllim i vogël me një rëndësi potencialisht të madhe afatgjatë - pandemia ka treguar përfitimet e mundshme, si për punëtorët ashtu edhe familjet e tyre, për dixhitalizimin e pagesave.

Remitancat kanë tendencë të jenë elastike ndaj fatkeqësive natyrore dhe krizave financiare, duke rënë me pak dhe duke u rritur më shpejt se flukset e tjera. Për dallim nga investitorët e huaj, punëtorët emigrantë janë imunë ndaj sjelljeve të masave, thotë Dilip Ratha nga Banka Botërore. Ata më mirë sakrifikojnë nga vetja e tyre duke ngrënë më pak dhe duke mos shtyrë pagesën e qirasë sesa të mos dërgojnë para në familje; dhe kur dëgjojnë telashe në shtëpi, ata bien akoma më shumë. Zakonisht dërgohen në monedhë të fortë, dërgesat e emigrantëve vlejnë edhe më shumë kur vështirësitë ekonomike në shtëpi turbullojnë valutat.

Por këtë herë është ndryshe. Pandemia ka goditur si dërguesit ashtu edhe marrësit. Pandemia e ka bërë më të vështirë mënyrën më të zakonshme të dërgimit dhe marrjes së parave. Para goditjes së koronavirusit, 80-85% e transaksioneve përfshinin ende para. Me mbylljet e vendeve, vizita në banka dhe zyra postare për të depozituar ose marrë kartëmonedhat u bë më e ndërlikuar dhe më e rrezikshme. Shumë agjentë të "parave të lëvizshme", tregtarë të vegjël që shërbejnë shumë herë më shumë njerëz sesa degë të bankave, nuk ia dolën dot të qëndrojnë të hapur sepse qeveritë nuk i konsiderojnë shërbimet e tyre "thelbësore", thotë Pedro de Vasconcelos i Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor, një agjenci e KB .

Për shumë emigrantë, puna ka rënë tepër. Shumë janë të punësuar në ndërtim, turizëm dhe transport, ku aktiviteti ka ngecur dhe janë pushuar. Punëtorët në Gjirin e Gulf, një destinacion kryesor për punën e emigrantëve, janë goditur nga rënia në industrinë e naftës; dhe afatet e vizave të tyre shpesh i pengojnë ata të gjejnë një punë të re. Problemet e Finablr, firma e dikurshme mbizotëruese e rajonit, e cila ka paralajmëruar falimentimin e mundshëm, i ka bërë gjërat më keq. Pak emigrantë (përveç në disa vende europiane) kanë të drejtë për të përfitiuar nga mbështetja e qeverisë.

Rënia e dërgesave duket se ka gjasa të zgjasë. Eigrantët në Francë rrëfejnë se kanë nisur të kursejnë në vend që të dërgojnë para në shtëpi. Ndërsa mbështetja e shtetit për ekonomitë e vendeve të pasura po përfundon, më shumë vende pune mund të humbasin. Mbështetja më e fortë në ekonomitë në zhvillim do të thotë që migrantët do të shohin edhe më shumë një tkurrje të të ardhurave. Ndalimet e udhëtimit kanë bllokuar transferimet jozyrtare - kryesisht njerëzit që shkojnë në shtëpi me çanta të hollash - që nuk janë llogaritur  në të dhënat e Bankës Botërore. Disa familje ende mund të marrin të ardhurat e tyre të zakonshme. Por shumë të tjera mund të mos marrin asgjë fare.

Siç vërehet në raport, sidoqoftë, pandemia mund të ketë efekte pozitive në një afat më të gjatë. Kriza ka shtyrë shumë dërgues drejt ofruesve digjitalë, që mund të nënkuptojë transferime më të lira të parave. Në Azimo, me qendër në Londër, numri i klientëve të rinj u dyfishua në maj, krahasuar me një vit më parë; në Remitly, në Seattle, u trefishua. Khalid Fellahi, kreu i transferimeve të konsumatorëve në Western Union, firma më e madhe në botë për transferimin e parave, thotë se përqindja e transaksioneve që klientët e saj dërgojnë nga llogaritë dixhitale është rritur nga 20% në 30%. Në mars dhe prill, sipas analizës për The Economist nga FXC Intelligence, një firmë e të dhënave, disa firma pagese rritën çmimet për të kompensuar vëllimin e humbur, ndërsa të tjerët i shkurtuan ato për të rritur pjesën e tregut. Por çmimet janë konvergjuar dhe rënë. Ulja e mëtutjeshme e përdorimit të parave të gatshme do të jepte akoma më shumë përfitime në efikasitet, duke i bërë transferimet më të lira, më të shpejta dhe më të sigurta.

Ende ekzistojnë pengesa për dixhitalizimin. Në fund të dërgimit, migrantët më pak të aftë, veçanërisht kur janë të paligjshëm dhe me qendër jashtë Europës, shpesh u mungojnë llogari bankare. Marrësit gjithashtu kanë nevojë për hyrje në një bankë. Por firmat dixhitale po përpiqen gjithashtu të punojnë rreth këtyre pengesave. Në shkurt, për shembull, Remitly hapi një bankë të re në Amerikë që synonte emigrantët, e cila u lejon atyre të përdorin një gamë më të gjerë të ID-ve për fotografi për t'u regjistruar sesa bankat e tjera. Një risi e tillë mund të dëshmojë një përfitim afatgjatë për punëtorët migrantë dhe familjet e tyre.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë