Jete & Stil

Covid-19 – Pse takimet romantike duken ndryshe tani?

Emily, një topografe 29-vjeçare nga Londra, thotë se ajo gjithmonë ka qenë një introverte. Ajo kishte folur me disa njerëz gjatë izolimit por nuk kishte menduar të takonte asnjë.

"Unë bisedova me disa njerëz në aplikacione të ndryshme por nuk isha nxituar të takoja asnjë. Gjithçka në lidhje me pandeminë më kishte shqetësuar mjaft.” tha ajo.

Në fillim të gushtit, ajo pranoi të takonte dikë për një pije  dhe ishte takimi i saj i parë që nga marsi. Ajo tregon se ai i pëlqente dhe prandaj vendosi të takohej me të.

Por, kur ata u takuan më në fund, ajo thotë, "unë thjesht u ndjeva jashtëzakonisht hezituese".

"Unë ende nuk isha e sigurt nëse isha gati të dilja përsëri. Më vonë, atë ditë, unë i dërgova një tekst duke shpjeguar se si ndihesha, dhe ai u përgjigj duke thënë se e kishte ndjerë atë nga gjuha e trupit tim.”

Emily nuk është e vetmja që ka ndjerë diçka të tillë dhe e ka shfaqur. Në fakt, sjellja e saj shihet në një studim të vitit 2017 në të cilin një grup psikologësh në Universitetin McGill të Montrealit shikuan nëse sjellja e njerëzve që takoheshin me të tjerët do të ndryshonte nëse ata shqetësoheshin për rrezikun e sëmundjes infektive. A do të largoheshin njerëzit nga një romancë nëse do të ishin në dijeni të një rreziku të mundshëm shëndetësor, apo do të mbizotëronte dëshira natyrore njerëzore për të gjetur një partner?

Studiuesit atëherë nuk e dinin se do të kishte një periudhë si kjo e Covid-19. Tani, puna e tyre, e kombinuar me studime të tjera psikologjike të kryera gjatë pandemisë, ofron një dritare interesante dhe mjaft të rëndësishme se si kriza duket se po ndikon në sjelljen tonë përsa i përket takimeve dhe tregon mënyra në të cilat ne mund të dalim në mënyrë më efektive në të ardhmen si dhe të formojmë lidhje më të ngushta dhe më të forta.

Eksperimenti në McGill tregon se shmangia e Emilyt mund të jetë një element i psikikës sonë të njohur si "sistemi imunitar i sjelljes".

Patogjenët kanë paraqitur një kërcënim për mbijetesën tonë gjatë gjithë historisë njerëzore. Pra, psikologët besojnë se njerëzit kanë evoluar një sërë përgjigjesh nënndërgjegjeshëm që manifestohen kur ne jemi veçanërisht të shqetësuar për praninë e një sëmundje infektive. Këto përgjigje na çojnë të përfshihemi në modele të sjelljes që zvogëlojnë gjasat e infektimit, të tilla si të qenit më pak të hapur dhe të bëni kontakt të shkurtër të syve kur jeni në situata shoqërore.

Ekipi i McGill shqyrtoi se si luajti kjo ide në një kontekst takimesh. Ata morën disa meshkuj dhe femra, të moshës 18 deri 35 vjeç dhe u dhanë të përfundonin një test psikometrik të njohur si PVDS, ose ndjeshmërinë e perceptuar të shkallës së sëmundjes. Kjo përbëhet nga një pyetësor me 15 artikuj, duke u kërkuar pjesëmarrësve të vlerësojnë nga 1 (nuk pajtohem plotësisht) në 7 (pajtohem plotësisht) ndjenjat e tyre në pyetje të tilla si, "Me të vërtetë më shqetëson kur njerëzit teshtijnë pa mbuluar gojën", ose “sistemi më mbron nga shumica e sëmundjeve që marrin njerëzit e tjerë”.

Secili nga pjesëmarrësit më pas shikoi një video në lidhje me higjienën dhe bollëkun e baktereve në botën e përditshme. Kjo kishte për qëllim të nxirrte në pah sistemin imunitar të sjelljes së tyre para se të shkonin në një takim në mbrëmje me seksin e kundërt.

Në mënyrë intriguese, studiuesit zbuluan se ata që kishin treguar se ndiheshin më të prekshëm ndaj sëmundjes shfaqnin vazhdimisht nivele shumë më të ulëta interesi në takimet e tyre të ardhshme. Kjo ishte e vërtetë edhe kur ato ishin shumë tërheqës\e. Frika nga sëmundja i bëri ata më pak të interesuar për romancë.

Ashtu si në rastin e Emilyt, partnerët në takimet në studim gjetën një sjellje ndryshe që sipas John Lydon, një nga autorët e studimit ishte diçka "veçanërisht e mrekullueshme".

"Brenda vetëm pak minutash, njerëzit zbuluan se njerëzit që kishin një ndjeshmëri të lartë të perceptuar ndaj sëmundjes, megjithëse natyrisht nuk e dinin këtë, ishin më të tërhequr dhe më pak miqësorë," thotë ai.

Sigurisht, edhe pse mund të injoroni mesazhet nga nënndërgjegjja juaj, thjesht takimi me një partner të mundshëm nuk ka qenë i lehtë gjatë pandemisë. Izolimet kombëtare kanë parë që liritë individuale të kufizohen në një mënyrë të paparë për muaj me radhë, duke e bërë gati të pamundur daljen dhe takimin.

Por ndërsa puna ka lëvizur në internet, kështu ka lëvizur edhe romanca. Beni, një aktor 27-vjeçar që jeton në Bristol, fillimisht ishte skeptik në lidhje me idenë e takimeve me anë të kamerës por duke parë situatën, ai shpejt filloi ta përqafojë këtë trend të ri të takimeve dhe madje të gjente edhe disa avantazhe nga kjo.

"Një nga problemet kryesore me aplikacionet e takimeve është se nuk e keni idenë se si është personi tjetër në të vërtetë përpara se ta takoni", thotë Ben.

Ai tregon se nuk ka asgjë më të vështirë sesa të takosh dikë në një lokal dhe të gjesh brenda pesë minutave të para që nuk keni kimi. Me takimet në mediat sociale, është pak më e thjeshtë.

Ju mund të bëni një bisedë ndërkohë që pini diçka dhe nëse nuk merreni vesh, gjithsesi nuk keni humbur kohë.

Shkencëtarja e sjelljes Logan Ury, i cili aktualisht punon si drejtor i shkencës së marrëdhënieve në aplikacionin e takimeve “Hinge”, gjithashtu ka vërejtur një ndryshim në mënyrën se si njerëzit po i afrohen takimeve në rrjetet sociale. Para pandemisë ishte e zakonshme që njerëzit të përdorin aplikacione të ndryshme për të lëvizur vazhdimisht nga personi në person. Por ndërsa filluan kufizimet, njerëzit kanë filluar të kalojnë më shumë kohë duke u njohur me njëri-tjetrin në botën virtuale para se të takohen. Kjo do të thotë që kur ata më në fund takohen personalisht, takimi merr më shumë rëndësi në mendjet e tyre.

"Pandemia ka bërë që çdo takim të bëhet më i çmuar. Kam parë njerëz që krijojnë një marrëdhënie për herë të parë pas një kohe të gjatë, sepse kishin më pak shpërqendrime dhe personi me të cilin po dilnin u bë më i vlefshëm për ta. Ata njerëz kishin thyer një zakon për të lëvizur gjithmonë në tjetrin, duke parë barin si ‘gjithmonë më të gjelbër në anën tjetër’ dhe ky ndryshim ndoshta nuk do të kishte ndodhur pa pandeminë." tregon Ury.

Ajo beson se njerëzit gjithashtu janë bërë më të qartë me veten dhe të tjerët për atë që po kërkojnë, për shkak të introspeksionit që shumë njerëz kanë pësuar gjatë izolimeve.

Për shkak se njerëzit kanë kaluar shumë kohë vetëm, duke menduar se kur do të jetë kulmi i ardhshëm i Covidit, kur është izolimi tjetër, kjo ka çuar në njerëz që takohen në një mënyrë më të qëllimshme dhe kjo qëllimshmëri mund të shfaqet në një sërë mënyrash. Për shembull, të jesh më i qartë me veten dhe të tjerët për atë që dëshiron, duke vlerësuar secilin takim dhe duke u përgatitur vërtet për të mendërisht.

Në Universitetin e Massachusetts Amherst, psikologia sociale Paula Pietromonaco ka ekzaminuar atë që i bën disa çifte të lidhen edhe më shumë pavarësisht nga streset e krizës, ndërsa të tjerët janë larguar.

Ndërsa faktorët socio-ekonomikë luajnë një rol kritik, me çiftet më të prekura financiarisht nga pandemia që ka më shumë të ngjarë të ndahen, Pietromonaco thotë se shumë gjëra vijnë deri te mënyra se si çiftet u qasen problemeve që vijnë në rrugën e tyre.

"Nëse ata e shohin veten e tyre si një ekip, duke fajësuar stresin në vetë pandeminë, në vend se të fajësojnë partnerin e tyre, ata ka më shumë të ngjarë të jenë më të fortë," thotë ajo.

Për shkak se pandemia ka ndryshuar jetën për të gjithë, ajo parashikon që perspektivat afatgjata të shumë çifteve do të ndikohen nga modelet e sjelljes të vendosura gjatë kësaj periudhe.

"Sjelljet ka të ngjarë të kalojnë pas pandemisë. Çiftet mund të përfundojnë më mirë në komunikimin, më mirë në mbështetjen e njëri-tjetrit pasi të ketë mbaruar kjo. Por nëse futen në modele konflikti, kjo gjithashtu mund të vijë në spirale. Për disa, mund të jetë një tronditje që i ndihmon ata të ndryshojnë sjelljen e tyre për mirë, ndërsa për të tjerët mund të jetë thembra e akilit në lidhje.

Për disa beqarë, pandemia mund të ketë sjellë ndryshime që janë këtu për të qëndruar edhe kur jeta të kthehet në normalitet.

Pietromonaco thotë se telefonatat dhe bisedat në kamera do të qëndrojnë për shumë gjatë në jetën tonë. Ka njerëz që edhe pse mund të takojnë njerëz të tjerë apo të dalin për një kafe, ato prapëseprapë preferojnë të bëjnë një telefonatë apo një bisedë në rrjetet sociale.

“Ndjej që padyshim që është një trend pozitiv. Tani njerëzit po bëjnë më pak takime, por kur e bëjnë, ka shumë më shumë gjasa që takimi të shkojë mirë.” tha Pietromonaco.

Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë