Futboll

Covid-19 prek Partizanin para derbit, dy lojtarë rezultojnë pozitiv

Klubi i Partizanit njofton se dy prej pjesëtarëve të ekipit, Deian Boldor dhe Besnik Ferati, kanë rezultuar sot pozitiv me Covid-19. Lojtarët ditët e fundit kanë shfaqur simptomat e para dhe menjëherë i janë nënshtruar testimit të tamponit nga ku kanë rezultuar pozitiv. Testimit të tamponit i nënshtruar edhe lojtari tjetër Amir Bilali, i cili ka rezultuar negativ.

Boldor dhe Ferati fatmirësisht gëzojnë gjendje shëndetësore të mirë dhe janë vetëkarantinuar në banesat e tyre. Ndërkohë asnjë lojtar dhe pjesëtar tjetër i ekipit nuk kanë shfaqur simptoma. Klubi gjithashtu njofton se ka marrë të gjitha masat dhe ka zbatuar me rigorozitet protokollin shëndetësor te Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ISHP (Instituti Shëndetit Publik) dhe do të vijojë ti përmbahet udhëzimeve për pjesën tjetër të skuadrës dhe stafit.

Gjithçka ndodh dy ditë para derbi i kryeqytetit, që normalisht vihet në dyshim, por tashmë duhet pritur për të parë se çfarë do të ndodhë, sepse është rreziku që mund të ketë edhe të tjerë lojtarë të infektuar.

Protokolli, izolohet vetëm lojtari

Për protokollin e futbollit në kohë pandemie, FSHF-ja adoptoi modelin gjerman, edhe pse kushtet në fakt janë shumë më ndryshe. Çështja e tamponit ishte më e diskutuara për protokollin dhe në fund u vendos që ai do të aplikohet vetëm në rastet kur ka dyshime. Sipas këtij modeli, gara vazhdon edhe kur një lojtar rezulton pozitiv me karantinimin e tij dhe jo të gjithë skuadrës. Në Gjermani, nga ku është marrë modeli, ka pasur raste pozitive vetëm para rinisjes. Problemi është se në Gjermani apo në vende të tjera tamponi mund të bëhet çdo 2-3 ditë, kurse në Shqipëri kjo gjë është e pamundur. I vetmi ekip i Superiores që ka bërë tampon për lojtarët, është Luftëtari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë