Para

Covid-19/Pezullimi i qirave, kush përfiton dhe si procedohet?

Pas vendimit të qeverisë që personat apo bizneset që u është ndërprerë puna si pasojë e epidemisë Covid-19 do tu pezullohet pagesa e qirasë, tatimet kanë nxjerrë rregulloren se kush përfiton sipas kategorive dhe formularët përkatës që duhet të plotësohen.

Kategoria e parë e përfituesëve janë individët që kanë shtëpinë me qira dhe kanë mbetur pa punë menjëherë pas izolimit të vendit dhe kanë kontratë qiraje ose çdo dokument tjetër që vërteton mardhënien kontraktore qiradhënës – qiramarrës;

Kategoria e dytë janë studentët të cilët kanë një kontratë qiraje për banesë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës– qiramarrës, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë;

Kategoria e tretë janë biznesi i vogël dhe të vetëpunësuarit, pra personat fizikë/juridikë me të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik, të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë dhe e kanë ndaluar aktivitetin si pasojë e emergjencës.

Procedurat e aplikimit për të përfituar nga pezullimi i qirasë:

Individët dhe stundentët që përfitojnë duhet të aplikojnë në adresën e email [email protected], sipas Formularit Nr. 1 në rastet kur marrëdhënia midis palëve është Individ me Individ ose sipas Formularit Nr. 2 kur marrëdhënia midis palëve është Individ me biznes (tatimpagues).

 Në çdo rast aplikimit i duhet bashkëlidhur kopje e kontratës së qirasë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktuale.

Personat fizikë/juridikë të regjistruar, duhet të aplikojnë në llogarinë e tyre në e-filing, tek menuja ‘’Çështjet e mia’’, duke ngarkuar Formularin e aplikimit Nr. 3, kur marrëdhënia midis palëve është biznes me biznes (Tatimpagues me Tatimpagues) ose sipas Formularin Nr. 4 kur marrëdhënia është biznes me individ (Tatimpagues me Individ).

Në çdo rast aplikimit i duhet bashkëlidhur kopje e kontratës noteriale të qirasë.

Tatimet sugjerojnë se, të gjithë qiramarrësit sipas kategorive të përcaktuara, të cilët kanë një ankesë të mundshme për qiradhënësin, pasi të kenë plotësuar të gjithë procedurën e kërkuar, duhet të dërgojnë një email në adresën [email protected] , me objekt/titull të Email-t, NIPT në rastin e Personave fizikë/juridikë të regjistruar, dhe NID (Numri Unik i Identifikimit) të Letërnjoftimit në rastin e individëve apo studentëve, duke përshkruar arsyen e ankesës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë