Treg

COVID-19/ OBT: Turizmi ndërkombëtar në rënie 70% gjatë 2020-s

Kufizimet në udhëtime si përgjigje ndaj pandemisë COVID-19 vazhdojnë të godasin rëndë turizmin global.

Të dhënat e fundit nga Organizata Botërore e Turizmit tregojnë një rënie prej 70% të mbërritjeve ndërkombëtare për tetë muajt e parë të vitit 2020.

Sipas barometrit më të ri të OBT-së, mbërritjet ndërkombëtare ranë 81% në korrik dhe 79% në gusht, tradicionalisht dy muajt më të ngarkuar të vitit dhe kulmi i sezonit veror të Hemisferës Veriore. Rënia deri në gusht përfaqëson 700 milion më pak mbërritje krahasuar me të njëjtën periudhë në 2019 dhe përkthehet në një humbje prej 730 miliardë dollarësh në të ardhurat e eksportit nga turizmi ndërkombëtar. Kjo është më shumë se tetë herë krahasimisht me humbjen e përjetuar si pasojë e krizës globale ekonomike dhe financiare të vitit 2009.

"Kjo rënie e paparë po sjell pasoja dramatike sociale dhe ekonomike dhe vë në rrezik miliona vende pune dhe biznese," paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm I OBT-së Zurab Pololikashvili. Sipas tij, kjo nënvizon nevojën urgjente për të rifilluar në mënyrë të sigurt turizmin, në një mënyrë të koordinuar dhe në kohë.

Rimëkëmbja jetëshkurtër

Të gjitha rajonet botërore regjistruan rënie të mëdha të mbërritjeve në tetë muajt e parë të vitit. Azia dhe Paqësori, rajoni i parë që vuante nga ndikimi i COVID-19, pa një rënie prej 79% të mbërritjeve, pasuar nga Afrika dhe Lindja e Mesme (të dyja - 69%), Europa (-68%) dhe Amerika ( -65%).

Pas rihapjes graduale të kufijve ndërkombëtarë, Europa regjistroi rënie relativisht më të vogla në korrik dhe gusht (respektivisht-72% dhe -69%,). Shërimi ishte jetëshkurtër megjithatë, pasi kufizimet e udhëtimit u rivendosën pas rritjes së infeksioneve. Në anën tjetër tablos, Azia dhe Paqësori regjistruan rëniet më të mëdha me -96% në të dy muajt, duke reflektuar mbylljen e kufijve në Kinë dhe destinacione të tjera kryesore në rajon.

Kërkesa për udhëtime mbetet kryesisht e ulët për shkak të pasigurisë së vazhdueshme për pandeminë dhe besimit të ulët mes konsumatorëve. Bazuar në tendencat e fundit, OBT pret një rënie të përgjithshme afër 70% për tërë vitin 2020.

Rimëkëmbja e kërkesës ndërkombëtare pritet nga tremujori i tretë i 2021

Paneli i Ekspertëve I OBT-së parashikon një rikthim në turizmin ndërkombëtar në 2021, kryesisht në tremujorin e tretë të 2021. Sidoqoftë, rreth 20% e ekspertëve sugjerojnë që rekuperimi mund të ndodhë vetëm në vitin 2022. Kufizimet e udhëtimit shihen si pengesa kryesore që qëndron në rrugën e rimëkëmbjes së turizmit ndërkombëtar, së bashku me përmbajtjen e ngadaltë të virusit dhe besimin e ulët të konsumatorit. Mungesa e përgjigjes së koordinuar midis vendeve për të siguruar protokolle të harmonizuara dhe kufizime të koordinuara, si dhe përkeqësimi i mjedisit ekonomik u identifikuan gjithashtu nga ekspertët si pengesa të rëndësishme për rimëkëmbjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë