Shendet

Covid-19 mund të shkaktojë diabet, ndoshta një lloj të ri

Një grup shkencëtarësh nga e gjithë bota mendojnë se ka disa prova që tregojnë se Covid-19 mund të shkaktojë diabet në disa pacientë.

Francesco Rubino, pedagog në King’s College Londër, thotë se është shumë e nevojshme që të bëhet një studim i plotë për një lidhje të mundshme midis Covid-19 dhe diabetit pasi ka vënë re një rritje të diabetit të tipit 1 dhe tipit 2 tek personat që janë infektuar me Covid-19.

Madje, disa mjekë po konsiderojnë dhe mundësinë që virusi, duke shkatërruar metabolizmin e sheqerit mund të shkaktojë një lloj të ri diabeti.

Në fillim Rubino e kuptoj lidhjen midis dy sëmundjeve gjatë një seance me kolegët e tij në Zoom kur po shkëmbenin raste të pacientëve.

Rubino dhe të tjerët krijuan një regjistër për të filluar bashkimin dhe analizimin e këtyre rasteve. Në regjistër janë raporte nga më shumë se 350 mjekë të cilët dyshojnë se kanë hasur në një ose më shumë raste të diabetit të shkaktuar nga Covid-19.

"Gjatë muajve të fundit, ne kemi parë më shumë raste të pacientëve që ose kishin filluar të vuanin nga diabeti gjatë periudhës që ishin të infektuar ose menjëherë mbas negativizimit. Tani kemi filluar të mendojmë se ekziston një ‘aftësi’ e virusit për të shkaktuar një mosfunksionim të metabolizmit të sheqerit", tha Rubino.

"Për mua nuk ka dyshim. Covid-19 është sigurisht një shkak i një lloj diabeti të ri”, tha Paul Zimmet, Endokrinolog  dhe pedagog në Universitetin Monash të Australisë.

Ai thotë se ajo që nuk kanë arritur të kuptojnë deri tani është se sa ndikon Covid-19 në krijimin e diabetit dhe se cilët faktorë janë ato që e shkaktojnë.

Shkencëtarët kanë supozuar se pasi që Covid-19 ndërvepron me një receptor të quajtur ACE-2 për të infiltruar qelizat në një sërë organesh, përfshirë pankreasin, mund të prishë metabolizmin e sheqerit. Një shpjegim tjetër është përgjigjja e antitrupave të cilët kanë për qëllim të luftojë virusin por që reagojnë shumë dhe sulmojnë organet kryesore për të mbajtur nivelet normale të glukozës.

"Tani, të gjitha këto janë teori ... teori që nuk janë filozofike, por të bazuara në biologji dhe përvojë me viruse të tjerë", tha Rubino.

Viruse të tjerë, veçanërisht viruset enterovirus shkakton diabetin e tipit 1. Antitrupat enterovirus janë regjistruar në nivele më të larta në nënat shtatzëna që kanë kaluar në diabet të tipit 1 dhe më shumë viruse enterovirus zbulohen tek fëmijët që kanë diabet.

Sathish Thirunavukkarasu, një hetues në Universitetin McMaster të Kanadasë, ka kryer një përmbledhje që përfshin tetë studime nga vende të ndryshme nga pesë muajt e parë të pandemisë. Thirunavukkarasu dhe kolegët gjetën një kombinim të 492 raste të diabetit të diagnostikuar midis 3711 pacientëve të shtruar për Covid-19, ose një përqindje prej 14.4%.

Këto shifra përfshijnë si pacientët Covid-19 që u diagnostikuan me diabet për herë të parë, ashtu edhe njerëzit që më parë kishin diabet por nuk e dinin se e kishin sëmundjen.

Ian Braithwaite, një mjek i NHS dhe bashkëthemelues i Habitual, një kompani për parandalimin dhe kthimin e diabetit, vuri në dukje se analiza nga Thirunavukkarasu dhe kolegët e tij ishte gjithashtu e kufizuar në pacientët në spital, kështu që nuk ishte e qartë nëse rastet e diabetit vazhdonin pasi ata u rikuperuan, ose nëse rritja e niveleve të sheqerit i vë pacientët në rrezik për diabet.

“Një rritje e niveleve të sheqerit nuk mund të ketë të bëjë me diabetin dhe gjithçka që ka të bëjë me përgjigjen e trupit ndaj infeksionit. Përveç kësaj, steroidet që përdoren për të trajtuar pacientë të caktuar me Covid-19 janë gjithashtu të njohur për të rritur nivelet e sheqerit në gjak”, kanë theksuar mjekët.

Studime të tjera kanë lidhur Covid-19 me fillimin e diabetit në shkallë të ndryshme. Studiuesit në Kinë që gjurmuan 2469 pacientë me Covid-19 6 muaj pasi lanë spitalin regjistruan 58 (afërsisht 2,35%) raste të fillimit të diabetit. Një studim tjetër në Angli zbuloi se 4.9% nga 47.780 pacientë që u negativizuan u diagnostikuan me diabet.

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë