Treg

COVID-19 , mbi 75% më pak vizitorë nëpër hotele në tremujorin e dytë të vitit

Rrënimin e turizmit shqiptar si pasojë e kufizimeve që bota ka vendosur për të kontrolluar pandeminë COVID-19 e ka konfirmuar edhe INSTAT përmes një ankete që ka zhvilluar në strukturat akomoduese në të gjithë rajonet e vendit.

Anketa, sqaron INSTAT, realizohet pranë hoteleve dhe strukturave të ngjashme me to dhe ka si qëllim të masë ecurinë e treguesve statistikorë mbi ofertën akomoduese të turizmit shqiptar, që janë të rëndësishëm për të hartuar politika mbi zhvillimin e kapaciteteve të sektorit të turizmit.

 Në tremujorin e parë 2020 treguesit e shfrytëzimit të kapacitetit të strukturave akomoduese, flasin për 10,4 % më pak vizitorë në krahasim me tremujorin e parë 2019. Numri i netë qëndrimeve është ulur me 9,4 %, në krahasim me tremujorin e parë 2019.

Në tremujorin e parë 2020, numri më i lartë i netë qëndrimeve është realizuar: sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zona Jo bregdetare” (66,1 %). Sipas rajoneve në “Rajonin Qendër “ (57,1 %).

Sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (98,4 %).

Në tremujorin e dytë 2020 treguesit e shfrytëzimit të kapacitetit të hoteleve dhe strukturave të ngjashme me to flasin për 75,6 % më pak vizitorë në krahasim me tremujorin e dytë 2019. Numri i netë qëndrimeve është ulur me 76,6 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2019.

Në këtë periudhë, numri më i lartë i netë qëndrimeve është realizuar: sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zona Jo bregdetare” (54,7 %). Sipas rajoneve në “Rajonin Qendër “(41,2 %). Sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (94,2 %).

Kush ia ka mbajtur frymën gjallë turizmit?

Të dhënat tregojnë se gjatë gjysmës së parë të vitit, struktura akomoduese i kanë vizituar shtetatist kosovarë (34%), ata italianë (15%), gjermanët (8%), anglezët (5%), bjellorusët 2%.

Sipërmarrësit e turizmit në vend kanë shpresuar shumë deri ditën e fundit që kufijtë do të çeleshin dhe do të ishin të lirë si më parë për të përfituar nga moti që ta shfrytëzonin pjesën e mbetur të verës dhe vjeshtën për turizmin kulturor.

Por me vazhdimin e bllokimit të kufijëve, sipërmarrësit e fushës thonë se humbjet do të thellohen dhe janë larg parashikimeve të fillimit duke pasuar me largime nga puna dhe falimentime.

Tanimë, thonë ata që merren me turizmin kulturor, ky vit do të vendoset me të zezë në kalendarin e punëve sepse nuk kanë shpresë as në vjeshtë për këtë degë të turizmit, pasi vera dështoi si test për të shpresuar që të moshuarit, i cili është target grupi për këtë lloj turizmi do të mendohej të vinin. Edhe kjo shpresë vdiq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë