Arsim

Covid-19, maturantët në udhëkryq

Nga Anxhela Çelanji - Merita është gjimnaziste në shkollën “Arben Broci” të kryeqytetit. Sapo i telefonoj, më kërkon të mos shkruaj shumë detaje identifikuese për të. Ndoshta ka frikë se mund ta keqkuptojnë mësuesit. Ndoshta ka mentalitetin e shumë bashkëmoshatarëve të tjerë se mund të “ndëshkohet” nëse flet për frikën e përbashkët që i ka zënë tani të gjithë maturantët: Atë të përzgjedhjes së nxënësve në universitet dhe provimeve të maturës.
“Mënyrat e mësimit online janë të ndryshme por jo të gjithë nxënësit marrin pjesë. Është disi e vështirë për të mësuar online, mezi kuptohemi”, thotë Merita për Gazetën “Si”. Ajo tregon se gjatë kësaj periudhe do të duhet të ishin duke bërë konsultime. Fati i mirë në këtë periudhë dashakeqe për nxënësit është se kanë mundësinë të komunikojnë gjithë kohës me mësuesit, por Merita tregon se ka shokë dhe shoqe të saj që nuk i marrin dot mësimet, pasi nuk e kanë mundësinë ekonomike të kenë një aparat celular, aq më pak të paguajnë internetin. “Na ka kapur frika. Konsultimet nuk po zhvillohen siç duhet, për shkak të gjendjes që jemi dhe unë mendoj se kjo do të ndikojë tek provimet e maturës e më pas në degën që do të zgjedhim për universitet,” thotë ajo.

Ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini

Pandemia duket se ka zënë pa përgatitur edhe Ministrinë e Arsimit. Kreu i këtij dikasteri, Besa Shahini ka deklaruar se nëse shkollat nuk do të hapen deri në maj, leksionet që nxënësit kanë marrë nga shtëpia nuk do të përfshihen në pyetjet e provimeve. Ministrja shtoi se do të lejohet të përsërisin vitin shkollor vetëm ata që ndjejnë se nuk kanë përvetësuar njohuritë, ndërsa të gjithë të tjerët do të kryejnë provimet dhe nëse është nevoja viti shkollor mund të shtyhet me një muaj. E kështu, për rrjedhojë edhe aplikimet për në universitet do të shtyhen me një muaj.
Përveç çoroditjes së kuptueshme të maturantëve, ekspertët e arsimit vlerësojnë se në kohë të vështira duhet të merren vendime të vështira. Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti thotë se deri tani nuk ka ndonjë plan konkret nga Ministria e Arsimit.
“Ky është një problem që të revolton, vërtet. Dhe e kanë marrë kaq thjeshtë këtë punë! Shumë kolegë më janë ankuar dhe më kanë thënë se kanë vetëm një laptop në shtëpi dhe kush do e përdorë më përpara! Po në zonat rural si do të mësojnë? Ndërsa në televizion jepen në një kanal nga ora 10 deri në 12; janë në dispozicion vetëm 10 minuta për çdo lëndë”, shprehet Mehmeti për Gazetën “Si”. Sipas tij, një problem do të jenë edhe shkollat private. Mehmeti shpjegon se prindërit do të thonë që nuk është bërë viti i plotë dhe nuk do të jepen lekët; e kështu nuk do të paguhen mësuesit. Ndërkohë burime për Gazetën “Si”, bëjnë me dije se shkollave private u ka vajtur një udhëzim verbal që u kërkon të bëjnë gati infrastrukturën për provimet e maturës.

Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti

Dhe, pikërisht provimet janë ato që trembin më shumë Meritën, e cila shpreson që kjo periudhë të mbarojë sa më shpejt në mënyrë që të mos kenë të vështirë për të realizuar provimet dhe zgjedhjen e degës që dëshirojnë. Eksperti Mehmeti shprehet se ne ende nuk kemi parë kriteret që do të duhet t’i plotësojnë nxënësit për të shkuar në universitet.
“Kriteret do të thuhen në fund të majit. Do thonë “këto janë dhe bëni çfarë të doni !” Provimet e maturës ketë vit janë çdo dy ditë dhe ndërkohë Ministria nuk ka një plan. Plani i Ministres është “sikur”, shton më tej Mehmeti.
Por vërtet, si pritet të jetë mënyra e vlerësimit sivjet?
Në një video-mesazh Ministrja Shahini ka deklaruar se mësuesit i njohin shumë mirë nxënësit e tyre dhe nëse nxënësit sjellin një detyrë të zhvilluar më mirë gjatë vitit, atëherë mësuesi e di që i ka ndihmuar dikush.“Vlerësimi që po zhvillohet në kushte shtëpie, është një vlerësim orientues. Pra, nuk është notë formale finale. Nota vendoset kur të kthehemi në shkollë dhe nxënësi pyetet prapë dhe testohet prapë nga mësuesi”, tha Shahini.
Por Merita thotë se ende nuk e di se si mund të vlerësohet ajo dhe maturantët e tjerë sivjet. Ajo shpjegon se ka komunikim me mësuesit për mësimet, por jo për vlerësimin. Ndërkohë theksin gjithmonë e vendos tek provimet përfundimtare, sepse ende nuk është e orientuar se çfarë do të bëjë, përveç faktit që duhet të mësojë fort.
Sipas ekspertit Mehmeti, edhe Shqipëria duhet të kishte ndjekur modelin që aplikoi Italia apo vende të tjera. Nxënësit duhet të kishin mbyllur vitin shkollor dhe të nxirrnin notat e tremujorit të dytë.

https://www.facebook.com/shahinibesa/videos/829681974177947/

“Punët që kanë ardhur online janë ose të prindërve ose të internetit dhe nuk ke se si të bësh vlerësim. Për mendimin tim, nëse për klasën e pestë provimi nuk është kualifikues, për klasat e 9 dhe 12 duhet të bëjnë provime, duke gjetur mënyrat, online siç bëhet provimi i shtetit, ose me mënyra të tjera që Ministria duhet t’i kishte gjetur tashmë. Maturantët mund të bënin provimin me 14 veta në klasë, me 2 metra largësi dhe nga mesi majit deri në fillim të qershorit të vinin vetëm maturat në shkollë. Kjo është zgjidhje. Në kohë të vështira, merren vendime të vështira dhe përcaktohet nëse ke vizion apo jo”, shprehet Mehmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë