Kinema

Covid-19 imponon rregulla të reja në Oscar

Për herë të parë në histori, Akademia e Oscar do të lejojë nominimin e filmave që nuk janë shfaqur në kinema por në platforma digjitale si: Netflix, Hulu, HBO, Amazon Prime etj.
Kriteret e reja për filmat që mund të nominohen u bënë publike sot përmes një deklarate për shtyp. Ndryshimi nuk do të jetë i përhershëm dhe do të vlejë vetëm për filmat e publikuar këtë vit, transmeton K.J njoftimet.
Përzgjedhja e të nominuarve për Oscar u vu në pikëpyetje pasi izolimi dhe distancimi social shkaktuan anulimin e festivaleve të filmit si ai i Kanës apo “South by Southwest”, dhe mbylljen e kinemave.
Më parë, një film duhej të shfaqej për të paktën shtatë ditë në kinema në Los Angeles që të merrej parasysh për një çmim Oscar. Tani, filmat e planifikuar për t’u shfaqur në kinema por që u lansuan vetëm në platformat digjitale, kanë mundësi të përzgjidhen për t’u nominuar.
“Akademia beson se magjia e filmave përjetohet duke i parë në kinema. I qëndrojmë të palëkundur këtij besimi,” tha presidentja e Akademisë, Dawn Hudson, në një deklaratë. “Sidoqoftë, pandemia tragjike e Covid-19 kërkon ndryshimin e përkohshëm të rregullave”.
Në momentin që kinematë do të hapen, gjithçka do të kthehet në normalitet. Nëse kinematë hapen në verë, siç parashikohet, atëherë Akademia do të cilësojë edhe kinema të tjera në New York, Chicago, San Francisco, Miami dhe Atlanta, si të certifikuara për të shfaqur filma pretendentë për nominimet Oscar. Ky ndryshim ka qenë objekt debati për një kohë të gjatë, pasi Netflix, Amazon dhe platforma të tjera, shpenzojnë miliona në fushatat për Oscar për filmat e tyre origjinalë. Për të plotësuar kushtet e Akademisë, Netflix i shfaq filmat dhe në kinema dhe në platformë.
Gjithashtu, Akademia i ka bërë edhe disa ndryshime të tjera. Kategoritë e miksimit të zërit dhe montazhit të zërit do të shkrihen në një kategori të quajtur arritja më e madhe në zë, për të theksuar punën në grup.
Të gjithë anëtarët e Akademisë do të kenë të drejtë të votojnë në raundin e parë të filmit ndërkombëtar, kategori që më parë njihej si filmi më i mirë në gjuhë të huaj. /kultplus


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë