Art dhe Kulture

Covid-19 i merr jetën aktorit fierak, Fatmir Xhelili

Një tjetër artist ndahet nga jeta si pasojë e Covid-19.

Ditën e sotme ka humbur betejën me virusin e rrezikshëm në moshën 69-vjeçare aktori i madh i teatrit dhe estradës së Fierit, Fatmir Xhelili, i cili kishte edhe sëmundje bashkëshoqëruese.

Xhelili ishte shtruar në Spitalin Infektiv prej disa ditësh dhe ditët e fundit gjendja e aktorit ishte rënduar.

Aktor në teatrin “Bylis” të Fierit, Fatmir Xhelili, për 46 vjet rresht, ka interpretuar përkrah emrave të mëdhenj si Fuat Boçi, Luftar Paja, Hajrie Rondo etj.

Aktori fierak e ka nisur rrugën e artit si aktor amator. Ai punonte si elektricist në uzinën e naftës në Ballsh, ndërsa pas pune angazhohej në teatër.

Interpretimi me mjeshtëri i roleve që merrte, e ka bërë aktorin një figurë të dashur për publikun ndër vite.

Me gjithë dëshirën për të interpretuar në dramë, karrierën më të madhe ai e ka në komedi. Roli i tij i parë është në komedinë me titull “Këpucët angleze”.

Fatmir Xhelili ka interpretuar gjatë karrierës së tij rreth 180 role në dramë dhe komedi, ku është vlerësuar edhe me 4 çmime të para si aktori më i mirë. Disa nga  komeditë që ai ka interpretuar rolet kryesore janë “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa” e Chehovit, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri i katit 15” etj. Gjithashtu edhe në dramat “Pazari”, “Vite të paharruara”, “Fqinjët”, disa prej të cilave me regji të Serafin Fankos, Dhimitër Orgockës, Gëzim Kamës, etj.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë