Ekonomi

Covid-19 goditi rëndë ekonominë, besimi i bizneseve e individëve më ulëti në 18 vjet

Banka e Shqipërisë thotë se treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, ka shënuar nivelin më të ulët historik që prej fillimit të matjes së tij në vitin 2002, duke reflektuar goditjen e rëndë që i bëri pandemia ekonomisë shqiptare.

Treguesi në tremujorin e dytë shënoi vlerën 52, 6 duke u tkurrur me 50.2 pikë. TNE është ndjeshëm edhe nën mesataren e tij afatgjatë.

Tkurrja e besimit në ekonomi sipas BSH-së, pasqyroi si përkeqësimin e besimit të bizneseve, më në veçanti në sektorin e shërbimeve, ashtu edhe besimin e konsumatorëve. Besimi i bizneseve dhe i konsumatorëve shënoi nivelet më të ulëta në kohë.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) thelloi rënien gjatë tremujorit të dytë, duke rezultuar 24.0 pikë përqindje më poshtë nivelit të një tremujori më parë. TBI ra nën mesataren afatgjatë të saj për të parën herë pas 6 vitesh dhe shënoi nivelin më të ulët historik .

Tkurrja e fortë e treguesit i faturohet kryesisht rënies së ekuilibrit të prodhimit, me 50.7 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël, rënies së kontratave porositëse, me 28.9 pikë përqindje. Komponenti tjetër përbërës i TBI, gjendja e inventarëve, rezultoi me rritje. Rënie të ndjeshme shënuan si gjendja financiare, kontratat porositëse nga eksportet, pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, ashtu edhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi rreth 64.0%, niveli më i ulët historik.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 29.5 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, duke u zhvendosur edhe më poshtë mesatares së tij historike. Tkurrja e fortë e TBN pasqyroi kryesisht rënien e aktivitetit ndërtues me 50.7 pikë përqindje. Në kahun rënësndikuan edhe kontratat porositëse, ndonëse rënia e saj me 8.3 pikë përqindje gjatë tremujorit rezultoi relativisht më e zbutur. Gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për të në tremujorin e ardhshëm, si edhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shfaqën gjithashtu dinamika rënëse gjatë periudhës në analizë. Rënia tremujore e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve në nivelin e 56.6%, e zhvendosi treguesin nën mesataren historike me 7.3 pikë përqindje.

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) shfaqi tkurrjen më të fortë midis treguesve të besimit gjatë tremujorit të dytë, me 56.6 pikë përqindje, duke shënuar edhe nivelin më të ulët historik .

Përkeqësimi i TBSH-së pasqyroi rënien e të dy komponentëve përbërës të tij, ecurinë e biznesit, me 58.0 pikë përqindje, dhe kërkesën, me 55.3 pikë përqindje. Rënie shënuan edhe gjendja financiare, punësimi dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi pranë vlerës 70.2%, rreth 6.0 pikë përqindje poshtë mesatares historike të saj. Ndërkohë, pritjet e bizneseve të shërbimeve për ecurinë e kërkesës dhe punësimit në tremujorin e ardhshëm rezultuan të përmirësuara.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) u tkurr me 19.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, duke shënuar minimumin historik për kohën e kryerjes së vrojtimit të besimit në këtë sektor .

Rënia u përcaktua pothuajse tërësisht nga rënia e ecurisë së biznesit me 38.4 pikë përqindje, në një kohë që rënia e pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, rezultoi relativisht më e lehtë. Edhe gjendja financiare, punësimi dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënuan rënie.

BSH thotë se bizneset e përfshira në aktivitetet tregtare kanë shfrytëzuar kapacitetet e tyre prodhuese me normën më të ulët të shënuar në kohë, rreth 65.0%. Ndërkohë, pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm shfaqi përmirësim.

Treguesi i besimit konsumator (TBK) ka thelluar trendin rënës gjatë tremujorit të dytë, duke shënuar gjithashtu nivelin më të ulët historik në kohë.

Rënia e TBK-së me 6.3 pikë përqindje pasqyroi përkeqësimin e të katër komponentëve përbërës të treguesit, përkatësisht situatën e përgjithshme ekonomike të pritur në vend, me 10.0 pikë përqindje, situatën financiare të pritur të familjes, me 7.9 pikë përqindje, blerjet e mëdha, me 6.8 pikë përqindje dhe të ardhurat dhe shpenzimet, me 0.8 pikë përqindje.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë