Biznes

COVID-19 goditi investimet, mbi 84% e bizneseve janë ndikuar nga pandemia

Bizneset e vegjël kanë shqetësim uljen e kërkesës vendase, bizneset e mëdha, qarkullimin e punonjësve

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet totale ranë me 11.1% në tremujorin e dytë, por norma është më e zbutur krahasuar me rënien prej 15.7% në tremujorin e parë të vitit.

Vlerësimet e BSH-së  tregojnë se kontributin kryesor në rënien e investimeve totale e dha rënia e investimeve publike. Investimet private, të cilat, sipas Bankës janë gjithsesi në territor negativ prej një viti, zbutën rënien në tremujorin e dytë.

Rënia e investimeve ka qenë në dy kategori kryesore: ndërtim dhe makineri e pajisje.

Vlera e shtuar në ndërtim ra me 10.9% dhe importi i mallrave kapitale me 12.2% në tremujorin e dytë.

BSH sqaron se faktori kryesor frenues në vendimmarrjen e bizneseve për të investuar gjatë tremujorit të dytë lidhet me pandeminë, mbylljen e detyruar të disa aktiviteteve, si dhe rritjen e pasigurisë. Kjo e fundit pritet të ketë një ndikim më afatgjatë se dy të tjerët në investime. Gjithashtu, investimet e huaja direkte shënuan rënie në tremujorin e dytë, sikurse edhe në tremujorin e mëparshëm.

Rikuperimi i investimeve private pritet të vijojë në tremujorin e tretë. Tregues afatshkurtër paraprakë nga tregtia me jashtë japin sinjale pozitive të rritjes së investimeve në makineri dhe pajisje. Importi i mallrave kapitale kaloi në territor pozitiv në periudhën korrik – gusht të këtij viti, pas një dinamike negative prej një viti e gjysmë.

Treguesit e besimit shfaqin kthesë drejt përmirësimit, veçanërisht për sektorin e ndërtimit. Investimet publike pritet të kontribuojnë pozitivisht këtë tremujor.

Gjatë vrojtimit të besimit, në muajin prill, rreth 90% e bizneseve që kthyen përgjigje, janë shprehur se aktiviteti i tyre është ndikuar nga Covid-19. Në muajin shtator, ky raport është ulur në 84%, i ndikuar kryesisht nga sektori i industrisë dhe ndërtimit.

Kurse, numri i bizneseve në sektorin e shërbimeve që shprehen se janë ndikuar është rritur në muajin shtator.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve të përfshira në vrojtim, rënia e peshës së bizneseve që janë përgjigjur se aktiviteti i tyre është ndikuar nga pandemia Covid-19 në muajin shtator është ndikuar në masën më të madhe nga ndërmarrjet e vogla. Lidhur me pyetjen se si janë ndikuar, nga një sërë alternativash zgjedhjeje, bizneset vijojnë të vlerësojnë si më të rëndësishmen uljen e kërkesës nga klientët vendas.

Rëndësia e këtij faktori është rritur në krahasim me fillimin e pandemisë: rreth 42% e përgjigjeve të bizneseve në shtator në krahasim me 34% në prill. Në linjë me lehtësimin e masave të marra, “mbyllja e detyruar e aktivitetit”, e cila ndikonte në masën 23% në prill është ulur në nivelin 13% në shtator. Alternativat e tjera janë vlerësuar pothuaj në të njëjtën masë nga bizneset gjatë të dy vrojtimeve.

“Ulja e kërkesës nga klientët vendas” identifikohet si faktori me ndikim më të madh edhe në kategorizimin e bizneseve sipas madhësisë, me një peshë veçanërisht më të madhe për mikrondërmarrjet. Ndërkohë, ndërmarrjet e mesme dhe ato të mëdha kanë zgjedhur “Problemet në qarkullimin e punonjësve” si alternativën me ndikim relativisht më të madh nga situata e krijuar nga Covid-19. Bizneset kanë zgjedhur si alternativat kryesore për të përballuar situatën: “shtyrja në kohë e pagesave” (30% e rasteve) dhe “ulja e përkohshme e numrit të të punësuarve” (27% e rasteve), në masë të ngjashme në të dy vrojtimet. Ndryshimi kryesor shihet në alternativën “mbyllje aktiviteti”, e cila ishte konsideruar në muajin prill (14% e përgjigjeve totale), por jo në muajin shtator (vetëm 2% e përgjigjeve të bizneseve). Alternativa e konsideruar me rritje nga bizneset në muajin shtator është “rritja e borxhit nga të tjerët” (12% nga 4% në prill). Vazhdon të mos konsiderohet alternativa e “uljes së përhershme të punonjësve”, në të dy vrojtimet e realizuara.

Në muajin shtator vihet re një shtim i peshës së alternativës “Rritje e borxhit nga të tjerët” për mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla. Ndërkohë, alternativa e “Rritjes së huamarrjes nga bankat” rezulton me një peshë më të lartë në muajin shtator për ndërmarrjet e mesme dhe ato të mëdha. Në përgjithësi, bizneset presin që të kthehen në situatë normale (situata përpara Covid-19) afërsisht pas 10 muajsh. Në krahasim me muajin prill, ku kriza pritej më e përkohshme, kjo periudhë është dyfishuar. Sipas madhësisë, koha e kthimit në situatën normale rezulton më e lartë për bizneset e vogla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë