Para

Ç’u diskutua mes Ramës, Guvernatorit dhe bankave tregtare

Bankat do të marrin pjesë në mënyrë më aktive në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë shqiptare, duke ndihmuar nevojat që ka qeveria në këtë periudhë, por njëkohësisht mund të vlerësohet dhe si një mundësi investimi për vetë sistemin duke qenë se aktiviteti kredidhënës ka pësuar vështirësi.

Kjo është diskutuar ditën e djeshme në videokonferencën mes kryeministrit Edi Rama, guvernatorit Gent Sejko, ministrit Ahmetaj dhe përfaqësuesëve të Bankave të Nivelit të Dytë.

Në lidhje me emergjencën antiCovid-19 bankat u dakordësuan me kërkesën e qeverisë se të gjitha llogaritë bankare për personat që përfitojnë nga paketa e ndihmës sociale do të çelen në një kohë shumë të shkurtër dhe pa komisione.

Gjatë kësaj videokonference u trajtuan një sërë çështjesh, duke filluar me zbatimin e masave të marra më parë dhe më tej me zhvillimet e pritshme për t’i paraprirë efekteve të mundshme të zgjatjes së pandemisë.

Fillimisht, diskutimi u ndal në procesin e riskedulimit të kësteve të kredive për të trajtuar sa më tepër kërkesa të ardhura nga ata klientë, gjendja financiare e të cilëve është ndikuar negativisht nga kjo situatë, në mënyrë që të lehtësohet barra e tyre financiare e momentit.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte dhe orari i funksionimit të bankave, i cili është përshtatur me fashat e orareve të lejuara të lëvizjes së popullsisë, për t’u krijuar klientëve aksesin e nevojshëm për të kryer veprimet e domosdoshme. Për të shfrytëzuar në maksimum oraret e lejuara të lëvizjes së popullsisë, u trajtua opsioni i lehtësimit të lëvizjes së punonjësve të bankave përtej orarit të lejuar.

Në lidhje me fondin e garancisë së ofruar nga qeveria shqiptare, për të mbështetur me kredi nga ana e bankave ato kompani që janë në vështirësi për të kryer pagesat mujore të punonjësve të tyre, u diskutua mundësia për ta shfrytëzuar atë sa më tepër, me një qasje sa më fleksibile nga ana e sektorit bankar. Qëllimi është që të sigurohet përfitimi i sa më shumë njerëzve, duke qenë se kredia e akorduar për këtë qëllim konsiderohet praktikisht me rrezik 0, si rrjedhojë e garantimit nga qeveria.

Guvernatori siguroi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme që i njeh ligji, në bashkëpunim me gjithë autoritetet në vend, me qëllim kapërcimin e kësaj situate dhe ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë