Rend dhe Ligj

CoVid-19, Ardi Veliu falënderon efektivët e policisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka falënderuar efektivët e policisë për punën e bërë gjatë kësaj kohe kqë Covid-19 është përhapur dhe në vendin tonë.

“Ndihem krenar që ju po tregoni në këto ditë vendimtare, ato vlera që përbëjnë esencën e Policisë së Shtetit, besueshmërinë, përgjegjshmërinë, shpirtin e grupit, kohezionin.

Më vjen mirë që keni përmbushur e madje tejkaluar jo vetëm pritshmëritë e mia si Drejtor i Përgjithshëm, por ajo që është më e rëndësishme, keni marrë vlerësimin e qytetarëve. Kjo na bën krenar të gjithëve dhe ngre në një vend nderi, emrin dhe uniformën e Policisë së Shtetit”, shprehet Ardi Veliu.

Veliu thekson se kjo luftë duhet përballur me shpirt grupi, që sipas tij tashmë është treguar në këto ditë të vështira.

“Si Drejtor i Përgjithshëm, ju kërkoj ta përballoni këtë luftë me atë shpirt grupi që keni treguar, me ndjenjën më të lartë të përgjegjshmërisë dhe me vetëdijen se po i jepni një shërbim tejet të vyer kombit e atdheut.

Ndiej detyrimin dhe njëherësh kam nderin t’ju shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për gjithë sa keni bërë dhe për sa do të bëni, deri në mposhtjen e këtij rreziku që i kanoset të gjithë njerëzimit”, vijon më tej mesazhi i tij.

Ndër të tjera, ai thotë se “dua të shpreh një urim për të gjithë ju, për gjithë qytetarët, që kjo pandemi të zhduket sa më parë, në mënyrë që të kemi mundësi të shohim e t’i japim dorën njëri-tjetrit dhe të themi faleminderit për gjithë sa keni bërë e vijoni të bëni!”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë