Rend dhe Ligj

Covid-19, Apeli shtyn seancën për ish-ministrin Tahiri

Gjykata e Apelit në Tiranë ka shtyrë seancën e përcaktuar sot për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e policisë Jaeld Çela.

Seanca ishte caktuar sot për në orën 10:30. Mësohet se shkak i shtyrjes është pandemia Covid-19. 

Sipas Apelit, në pritje të lehtësimit të masave do të njoftohet për seancën e radhës.

Vitin e kaluar Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana tjetër kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Si përfundim të dyja palët, si Tahiri dhe Prokuroria nuk pranuan dënimin me 3.4 vite shërbim prove dhe e apeluan zyrtarisht në Gjykatën e Posaçme të Apelit që nga java tjetër do të fillojë me gjykimin e dosjes.

Prokuroria e akuzonte Tahirin se në kohën kur ishte ministër i Brendshëm bashkë me ish-drejtorin e Policisë Vlorë, Jaeld Çela kanë bashkëpunuar me Moisi Habilajn apo vëllezërit e tij që bashkë korrespondojnë të jenë kushërinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë