Lajme

Çonin klandestinë në vendet e BE, në pranga dy korçarë

Në sajë të operacionit të koduar “Itinerari”, policia e Korçës ka vënë në pranga dy persona, pasi u jepnin ndihmë emigrantëve nga Siria për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt parave.
Policia bën me dije se kanë përfunduar në pranga shtetasit:
E. M., 26 vjeç, banues në Zemblak, Korçë;
E. H., 33 vjeç, banues në Zemblak, Korçë;
Po ashtu është shpallur në kërkim shtetasi K. H., 39 vjeç.
Siç njofton policia, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se me mjetet e tyre private, kundrejt shpërblimit monetar kanë marrë 8 shtetas (emigrantë klandestinë) të kombësisë siriane në qytetin e Bilishtit, në afërsi të kufirit të gjelbër me Greqinë, për t’i sjellë në Tiranë, të cilët më pas do merreshin nga persona të tjerë me qëllim dërgimin e tyre në kufirin e gjelbër me Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete dhe 12 aparate celularë.
Ndërkohë, policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, e kryer në bashkëpunim”.

 

Më Shumë